Në qarkun e Shkodrës janë aktualisht aktive tre vatra zjarri, konkretisht në Bardhaj, në Bërdicë dhe në Velipojë. Situata më e rënduar vazhdon të jetë në fshatin Berdicë ku nga flakët janë përfshirë dhe disa banesa.
Në terren për të parë situatën e zjarreve kanë dalë dhe kreu demokrat i Bashkisë, Bardh Spahia dhe prefektja socialiste e Qarkut Majlinda Agoni dhe kjo ka sjellë një përplasje mes tyre.
Angoni ka deklaruar se ende nuk ka nevojë për ndërhyrje nga ajri, ndërsa Spahia thotë se aty ku është e pamundur ndërhyrja e zjarrfikësve, duhet të vijnë helikopterët për të shuar flakët.
“Jemi në një situatë kritike. 60 forca të ushtrisë në terren. Shumë e vështirë ndërhyrja në Vilëz për shkak të terrenit. Prioritet është jeta e njerëzve dhe e banesave të tyre. Duhet koordinim më i mirë i Bashkisë Shkodër, sidomos në Vilëz. Flitet për situata të menaxhueshme, nuk është koha për helikopterë. Duhet të bëjmë denoncime për çdo rast të dyshimtë, duhet solidaritet në këtë situatë”, tha Angoni.
“Jemi përballur me një situatë të vështirë me disa vatra zjarri në kohë të njëjtë. Falë punës së zjarrfikësve janë dominuar këto situata. Nevojiten mjete nga ajri aty ku është e pamundur ndërhyrja. Do duhej qeveria të ishte me prezentë”, tha Spahia.