Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me lajmin ekskluziv të përcjellë nga Voxnews.al për identifikimin e një ‘spiuni’ në Presidencë nga ana e Shërbimit Informativ Shtetëror.
Sipas lajmit të publikuar nga Voxnews.al, ‘spiuni’ presidencial është një këshilltar i Presidentit Meta dhe ai vazhdon ende ta kryejë këtë detyrë.
Por, Ilir Meta ka reaguar përmes zëdhënësit Tedi Blushi duke e cilësuar lajmin si të rremë.
“Nuk ka asgjë të vërtetë në përmbajtjen e një "fake news" që prej disa javësh riqarkullohet në media, për gjoja nënkuptimin e përfshirjes së një nëpunësi të Institucionit të Presidentit të Republikës në veprimtari të paligjshme, gjoja sipas një raporti të SHISH, që është veçse një material promovues propagandistik për aktivitetin e tij, ku nuk përmendet kurrkund Presidenca dhe që ngjason me Revistën e Sigurimit të Shtetit "Në shërbim të popullit", shkruan zëdhënsi Tedi Blushi.
Blushi më pas sulmon gazetarët dhe mediat, duke i quajtur karagjoze.
“Sqarojmë opinionin publik se përpjekja e gazetarit E.Q për të ngritur një tymnajë mbi Institucionin e Presidentit të Republikës dhe vijimi i konsumimit të pretendimeve të ngjashme nga portalet më karagjoze në vend dhe më në mbrojtje të aferës së inceneratorëve, dëshmojnë për një mungesë të theksuar profesionalizmi dhe një tendencë bajate dashakeqe për disa klikime më shumë. Të gjithë shqiptarët e dinë se ku punojnë spiunët dhe tradhtarët e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar!”, mbyllet reagimi i Tedi Blushit.