Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi ka ironizuar me deklaratat e tij në Komisionin Hetimor për koncesionet në shëndetësi.
Në fjalën e tij, ai u kërkoi kolegëve te PS dhe PD që të ulen dhe të bëjnë një produkt dhe të vazhdojë normalisht puna.
Korreshi ironizoi planin e PS për punën e Komisionit Hetimor si “Plan Marshall”
“Shkurt si i ndjeri Fadil Hasa, a ulemi bëjmë një produkt?! Bëni ca të doni se na plaset! E dyta na kurseni pjesën e planeve, se ne vijmë nga plani 120%.
Sa për planin që na keni sjellë, na thoni dhe ku do ta montojmë dhomën e rrëfimit se keni parashikuar që të rrëfehen të gjithë ministrat tek e tek.
Qysh e kemi tek e tekun? Po ca jemi ne inspektorët e Sigurimit të shtetit që ti marrim tek e tek?! Këtu ore të vijnë ti dëgjojmë të gjithë. Ne nuk do ndajmë lekët.
Prandaj planin Marshall ta lëmë për në fund, ne nuk po biem për kalendarin! Do jetë me Milanin apo me Interin me fotografi. Uluni dhe na i ndani këtë punë dhe të fillojmë punën rehat”, tha deputeti Korreshi.
Ndërsa deputeti i PS-së, Ilir Metaj, ironizoi kryetaren e Komisionit Hetimor për Check-up dhe Sterilizimin, teksa u shpreh se “s’jemi në ‘Albana Vokshi Fun Club”.
Ndërsa deputeti socialist, Ilir Metaj theksoi se nuk do të pranojnë të jenë në tavolinë thjesht në rolin e statistikës, duke shtuar se do të japin opinionin e tyre.
“Ju mund të doni që koha e këtij komisioni të mos ketë opinionet tona dhe të mbushet me zhurmën e zërit uaj të artikuluar por nuk funksionon kështu komisioni hetimor”, u shpreh ai.
Pjesë nga diskutimi:
Ilir Metaj: Jemi në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë dhe jo në Albana Vokshi Fun Club, kështu që të paktën asnjë nga ne, të anës këtej të tavolinës nuk e pranojmë rolin e statistikës në skenarin e parashkruar nga ju.
Keni treguar qartë dhuntinë tuaj për të marrë tezat dhe antitezat e rregullores dhe për të prodhuar një sintezë ku rregullorja, ka vetëm pikat që sugjestionohet nga pëlqimi juaj.
Edhe vetë Hegel do t’ju duartrokiste fort. Ju mund të doni që koha e këtij komisioni të mos ketë opinionet tona dhe të mbushet me zhurmën e zërit uaj të artikuluar por nuk funksionoin kështu komisioni hetimor. Do të duhet të mbijetoni me opinionet tona dhe t’i respektoni deri në fund.
Albana Vokshi: Për të respektuar kërkesat tuaja, miratuam rendin e ditës. Ju kujtoj që hetimi fillon me dërgimin e kërkesat e nismëtarit, pastaj pasi merren provat miratohet plani. Plani është për dijeni, jo për miratim plani. Nuk jemi fare në dijeni të këtij plani. Po dezinformojni./VoxNews