SHBA-BE “presion” deputetëve: Të ndryshohet Kushtetuta për vettingun

8 February 2022, 17:21Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

SHBA-BE “presion” deputetëve: Të ndryshohet Kushtetuta

SHBA dhe BE janë ngopur nga zvarritjet e mazhorancës dhe opozitës në Kuvend dhe kërkojnë pa vonesa ndryshimin e Kushtetutës për zgjatjen e afateve të komisioneve të vettingut, që skadojnë në korrik të këtij viti.

Ambasada amerikane dhe përfaqësia e BE në Tiranë kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, ku theksojnë se zgjatja e mandatit të komisioneve është edhe rekomandim i Komisionit të Venecias.

“Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një element themelor i reformës në drejtësi. Për t’u mundësuar institucioneve të vettingut të kryejnë misionin e tyre është i nevojshëm ndryshimi i Kushtetutës përta zgjatur mandatin e tyre për një periudhë të kufizuar”, thuhet në deklaratë.

“Komisioni i Venecias konfirmoi se zgjatja e propozuar është në përputhje me standardet europiane dhe është e nevojshme për të garantuar barazinë para ligjit dhe sigurinë juridike”, vijon deklarata.

Sipas BE dhe SHBA, zgjatja e vettingut është në interes të Shqipërisë dhe deputetët duhet të shkëputen nga përkatësia partiake për këtë çështje.

“Zgjatja e propozuar e vettingut mbështetet fuqishëm nga miqtë e Shqipërisë, që dëshirojnë ta shohin Shqipërinë në BE sa më shpejt që të jetë e mundur. Kjo nuk është çështje partiake. Shpresojmë që të gjithë deputetët, pavarësisht nga përkatësia partiake ta shohin këtë si çështje të interesit kombëtar dhe të votojnë në përputhje me të, ashtu siç kanë mbështetur gjithmonë rrugën europiane të Shqipërisë. Vota për zgjatjen e vettingut është votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE”, mbyllet deklarata.


Video