Refuzimi i Komisioneve Parlamentare për “McGonigal” dhe “Zgjedhjet e 11 majit”, Bardhi në ‘Kushtetuese’!

5 Maj 2026, 11:25Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gazment Bardhi

Gjykata Kushtetuese shqyrton ankimin e paraqitur nga disa deputetë të PD, lidhur me refuzimin e ngritjes së dy komisioneve hetimore parlamentare për çështjen “McGonigal” dhe procesin zgjedhor të 11 majit.

Gjatë seancës, Bardhi deklaroi se opozitës, sipas tij, i janë mohuar vazhdimisht të drejtat parlamentare për ushtrimin e kontrollit dhe kërkesave për informacion.

Ai argumentoi se komisionet hetimore parlamentare janë mekanizma kushtetues kontrolli ndaj ekzekutivit dhe jo struktura që zëvendësojnë organet e drejtësisë.

“Ne nuk na pranohet asnjë kërkesë për interpelancë, asnjë kërkesë për marrje informacioni. Ky gjykim sot në Gjykatën Kushtetuese ka të bëjë me faktin ne jemi në Republikë Parlamentare që funksionon sipas Kushtetutës apo një republikë me vullnet të një partie…Përgjigjen tuaj nuk e dimë. Në çdo hallkë të këtij procesi na është dhënë nga një arsye e ndryshme. Komisioni i Përhershëm dhe i Posaçëm parlamentar janë organe ndihmëse të Kuvendit, ndërkohë që funksioni i një Komisioni Hetimor ka të bëjë me kontrollin ndaj ekzekutivit, nuk mundet që përmes mekanizmave. Përgjegjësia ligjore administrative apo penale është kompetencë e institucioneve përkatëse që kryhen nga ligji”, tha ai.

Gjithashtu gjatë fjalës së tij, Bardhi shtoi se: “Në seancë plenare na është thënë një gënjeshtër, se nuk janë paraqitur fakte apo prova se autoritetet shqiptare kanë kryer veprime të paligjshme. Unë nuk e di që një hetim i departamentit amerikan të shtetit është spekulim politik. Për mua janë dokumente zyrtare që legjitimojnë kërkesën për hetim. Ka konfirmim zyrtar të prokurorisë së posaçme ata kanë nisur hetimet, pra paska të dhëna për të nisur një hetim penal por nuk ka fakte për të nisur një hetim parlamentar. Prokuroria nuk na detyron të mos ushtrojmë kompetencën tonë Kushtetuese”.


Video