Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të reagojë nga rrjetet sociale mbi akuzat për skandalin "McGonigal", edhe pse opozita ka kërkuar me të interpelancë në Kuvend, por ai nuk ka shkuar dhe ia ka deleguar përballjen ministres Elisa Spiropali.
Në një postim në Twitter, Rama shkruan se po abuzohet me lirinë e fjalës dhe sipas tij, me shpifje ekstreme synohet manipulimi i opinionit me një çështje të hetuar nga drejtësia amerikane.
Ai shton më tej se kjo është një tallje e madhe dhe e shpifur e politikës pa din e as iman me ata që i shkojnë mbrapa kësaj politike figurash të diskredituara.
Reagimi i plotë:
Një abuzim total me lirinë e fjalës,me të vërtetën,me publikun,në një dëshpërim total moral, politik, elektoral, ku me shpifje ekstreme synohet manipulimi i opinionit me një çështje të hetuar nga drejtësia amerikane që ka shkuar në gjykatë e që s’ka asnjë lloj lidhje me ne këtu!
Kush i ka dy fije mend e kupton se ç’është e tërë kjo histeri vetëgjyqësie politike e mediatike,mbi një gjyq në Amerikë për një zyrtar të FBI të cilin drejtësia e nongratave këtu pretendon se është korruptuar nga unë, ndërkohë që drejtësia amerikane s’ka asnjë akuzë a pretendim.
Kjo është një tallje e madhe dhe e shpifur e politikës pa din e as iman me ata që i shkojnë mbrapa kësaj politike figurash të diskredituara, të cilët duan të mbulojnë diellin me shoshë, ndërkohë që marrëdhëniet tona me SHBA dhe institucionet amerikane janë më të forta se kurrë.