Pas "djegies" së raundit të parë pa kandidatë, kryeministri Edi Rama është shprehur se nuk po sheh vullnet nga opozita për zgjedhjen e Presidentit të ri.
Duke folur për mediat pas daljes nga Kuvendi, Rama u shpreh se mazhoranca nuk ka pse ja jep të drejtën opozitës ta zgjedhë ajo Presidentin. Kreu i qeverisë gjithashtu u shpreh i prerë se nuk negocion me ish-kryeministrin Sali Berisha për zgjedhjen e Presidentit të ri.
"Dihet që ne nuk i kemi 84 votat e nevojshme për të kaluar raundin e parë, të dytë dhe të tretë. Ndërkohë që nuk më rezulton që ka ndonjë qartësi, ndonjë vullnet nga ana e palëve të tjera për t’u përfshirë në proces deri tani. Jo (nuk ka emër për President për raundin e dytë dhe të tretë).
Për çfarë arsye duhet PS-ja që t’i japë të drejtën opozitës për të bërë propozime për Presidentin? Të dorëzojë të drejtën për të marrë pjesë në këtë proces edhe t’ia kalojë këtë të drejtë kujt? Kujt ekzaktësisht se ne nuk po dimë më as kë kemi në anën tjetër se kemi lloj-lloj copash dhe çikash. Nuk e shoh dot ku qëndron logjika në këtë, s’ka logjikë. Ne kemi kaluar 2 herë në këtë proces kur kemi qenë në opozitë në drejtimin tim. Një herë kur ne kishim numra të mjaftueshëm për të bllokuar 84-ën, pavarësisht se si shkuan gjërat më pas, por një herë kur ne nuk kishim numrat. Pra, PD kishte numrat për të zgjedhur Presidentin dhe ne kemi kaluar në këtë proces, jemi ulur në tryezë. Kemi thënë gjërat tona, kemi bërë përpjekjen tonë dhe kemi vazhduar përpara pavarësisht se shumica e asaj kohe zgjodhi një president tjetër, që ishte nga radhët e partisë së shumicës.
Ky është roli që ka opozita, të gjejë rrugë për të gjetur një konsensus të mundshëm me shumicën dhe të jetë e hapur për një dakordësi që mund të jetë e shumicës, se kuptoj këtë që ne duhet ta vendosim vetë, por mirë vendoseni dhe si do vendoset. Nuk ka asnjë nevojë që ne të hyjmë të bëjmë testime për të parë që ne nuk i kemi votat, do presim nëse do ketë dëshirë nga pala tjetër që mesa duket nuk ka. por nuk do të mbetemi pa ezauruar atë mandate nga kushtetuta. Nuk kemi me kë negociojmë, por ne presim. Dihet se me kë ne nuk negociojmë për asnjë arsye dhe refuzojmë ta marrim në konsideratë. Jemi ta gatshëm të flasim me çdo palë që do të donte të fliste me ne. Por nëse jo do presim me durim dhe në momentin që hyjmë në raundin e katër do përdorim mandatin që na jep Kushtetuta për të zgjedhur presidentit, s’kemi rrugë tjetër." deklaroi kryeministri Rama.