Pse Rama aludoi për arrestimin e Bashës?

23 February 2022, 18:35Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Pse Rama aludoi për arrestimin e Bashës?

Kryeministri Edi Rama gjatë marrjes në pyetje në Komisionin parlamentar Hetimor për inceneratorët ka mohuar akuzat për përfshirjen e tij në afera korruptive.

Rama mohoi edhe njohjen me 3 personat e shpallur në kërkim nga SPAK për inceneratorët, kur u pyet nga deputeti Belind Këlliçi që pse nuk vijnë të dëshmojnë. Ai paralajmëroi se kushdo që lëshon atë dhe punën e tij, nuk ka më asnjë mëshirë ndaj tyre.

“Nuk i njoh këto persona. Vendimmarrjet mia bazohen te kush jam unë. Ti ke mundësi të pyesësh për raportin tim me lekun, po të them se kur vendos, ka rëndësi vetëm një gjë; emri. Dhe prandaj jam shumë i prerë dhe nuk lëshoj njeri deri kur asnjeri nuk më lëshon mua. Në momentin që më lëshon mua, punën time e skuadrën tim s’kam asnjë mëshirë”.

Ndërsa përfaqësuesit e opozitës i kujtuan arrestimin e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, Rama kërkoi që të mos e përmendin.

Pa mikrofon, kryeministri Rama tha se edhe ai do të bëjë të njëjtën gjë kur kreut të PD, Lulzim Basha t’i ndodhi e njëjta gjë, duke nënkuptuar arrestimin.

“Kurrë nuk kam për ta përmendur Lulin kur ta çojnë atje”, deklaroi Rama në komision, ndërsa e la të paqartë nëse ishte një batutë e tij apo një informacion sensitiv që mund ta ketë vetëm kryeministri.

Kreu i qeverisë nuk i ka kursyer ngacmimet ndaj përfaqësuesve të opozitës duke i ndarë në mbështetës të Bashës dhe Berishës.

Për akuzat se në aferën e tre inceneratorëve janë vjedhur miliona euro, Rama distancoi vetën duke thënë se të tjerët që kanë shkelur ligjin do të mbajnë përgjegjësi.

“Nëse kanë bërë ata të tjerët do të marrin dënimin. puna ime nuk ka lidhje me paranë, për mua paraja e popullit shqiptar dhe paraja e çdo kujt është pa lidhje me mua personalisht”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se ngritja e tre inceneratorëve ka për qëllim pastrimin e vendit nga plehrat pasi ‘kemi qenë në emergjencë mjedisore’ duke shtuar se ‘kemi qenë vendi më i pistë në hartën e Evropës’.

Belind Këlliçi tha se e shihte pa kuptim që kryeministri i vendit të ishte i pashqetësuar për abuzimin me paratë publike duke u mjaftuar me deklaratën se ai personalisht nuk është i përfshirë.


Video