
Mazhoranca ka dalë kundra draftit të propozuar nga kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj për zgjedhjen e Presidentit të ri.
Kreu i Grupit Parlemantar të PS-së, Taulant Balla ka deklaruar se drafti i opozitës është i vlefshëm vetëm në rastin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, pasi në këtë rast drejtuesin e institucionit e zgjedh opozita. Gjithsesi, Balla përshëndet vendimin e opozitës për tu ulur me mazhorancën për bisedime mbi zgjedhjen e Presidentit.
“Propozimi i tyre është një propozim maksimalist, një propozim që i heq shumicës të drejtën të propozojë. Megjithatë e përshëndes që ka një propozim. Ka një gatishmëri të grupit parlamentar të PD për tu ulur. Jemi të gatshëm që të ulemi që nesër për të diskutuar propozimet tona dhe propozimet e tyre. Kjo do të ishte zgjidhja e tyre. Me të përfunduar konferenca e kryetarëve nesër, të ulemi dhe të diskutojmë. Më duket pa vend që të vish në një tryeze dhe t’i thuash tjetrit ti nuk ke të drejtë të propozosh.
Ne kemi qenë shumë të hapur dhe jemi shprehur që pjesë e propozimeve të jetë çdo qytetar shqiptar. Nesër në orën 12:30 është njoftuar për konferencën e kryetarëve, nesër fillon zyrtarisht procesi deri në raundin e pestë. Dua të kemi një president të gjithë shqiptarëve jo president të PS. Nëse do e donim këtë, i kemi numrat dhe do ta zgjidhnim. Propozimi që vjen nga PD është shumë i vlefshëm në rastin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, në rastin e zgjedhjes së avokatit e ka të drejtën të zgjedhë vetëm opozita”, tha Balla pas pyetjes së gazetarëve.