Enkelejd Alibeaj ka thirrur të hënën në orën 14.00 mbledhjen e grupit parlamentar për të marrë një vendim në lidhje me procesin e zgjedhjes së presidentit të republikës.
Kjo është mbledhja e dytë pas asaj të 5 majit, ku Alibeaj synon që të fitojë mbështetjen e shumicës së deputetëve demokratë për tu ulur në tryezën e negociatave me partinë socialiste për kryetarin e ri të shtetit. Këtë herë Alibeaj pret që deputetët demokratë të sjellin me shkrim kriteret që duhet të plotësojë presidenti I republikës për të pasur një qëndrim të unifikuar.
Por kjo lëvizje e Alibeajt nuk pritet të unifikoje grupin parlamentar, i cili është ndarë në 3 kampe; deputetët që mbështesin Enkelejd Alibeajn, 17 deputetët që janë me Sali Berishën e janë pjesë e Komisionit të Rithemelimit dhe grupi i tretë i deputetëve që nuk janë as me Alibeajn e as me Sali Berishën.
Nga ky grupim ka ardhur edhe kritika më e fortë për procesin që dëshiron të ndërtojë Enkelejd Alibeaj.
Ish-nënkryetari i PD Agron Gjekmarkaj ka deklaruar se nuk do të propozojë kritere për Presidentin e Republikës.
“Kriteret një koncept ky pak komik dhe hileqar nuk mund të jenë të dirigjuara nga një person, i cili pretendon të fitojë me kulisa atë që ka humbur në fushëbetejë!”, shkruan në një postim në rrjetet sociale Gjekmarkaj, duke shigjetuar ish-kryetarin e PD Lulzim Basha.
Ndërsa për 17 deputetët e Komisionit të Rithemelimit aksioni politik është i qartë, ata e kanë shkarkuar Enkelejd Alibeajn dhe nuk do të marrin pjesë në mbledhjet e thirrura prej tij.
Në këshillin kombëtar u miratua rezoluta, e cila parashikon ngritjen e një grupi negociator, i cili do të bisedojë me të gjithë faktorët opozitarë për një qëndrim të unifikuar në lidhje me procesin e zgjedhjes së presidentit të republikës, por PS deklaroi se nuk do të negociojë me Berishën.