Këlliçi: Kam informacione se ndaj Ramës ka nisur një hetim ndërkombëtar

7 May 2022, 15:34Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Këlliçi: Kam informacione se ndaj Ramës ka nisur një hetim

Komisioni i Rithemelimit ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e PS-së, ku i kërkonte llogari SPAK-ut pse nuk ka nisur ende një hetim ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe presidentit Ilir Meta.

Në një deklaratë nga selia blu, deputeti Belind Këlliçi deklaroi se kryeministri ndihet në panik dhe sipas informacioneve të tij, ndaj kreut të Qeverisë ka nisur një hetim ndërkombëtar.

"Kush ka dëgjuar sot Edi Ramën të sulmojë Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, kupton shumë qartë hallin e tij dhe të grupit të struktuar kriminal të qeverisë më të korruptuar në Europë, të cilin e drejton prej 9 vitesh. Klithmat e Edi Ramës “më shpëtoni nga Sali Berisha”, tregojnë as më pak e as më shumë panikun që e ka kapur si dhe gjendjen e tij të pa shpresë.

Sulmi i përsëritur dhe akoma më i ashpër sesa në Kongres i Edi Ramës kundër SPAK-ut ka të bëjë vetëm me Edi Ramën dhe të korruptuarit që e rrethojnë atë, kjo edhe në bazë të informacioneve të besueshme në lidhje me disa hetime ndërkombetare rreth personit të tij.  Sulmi i tij është mesazh i koduar ndaj SPAK që prokuroria speciale të tërhiqet nga çështje që prekin drejtpërdrejt Edi Ramën dhe njerëz shumë të afërt të tij." deklaroi Këlliçi.

Deputeti demokrat shtoi më tej se kryeministri Edi Rama nuk ka hallin e drejtësisë, por hallin e tij personal dhe karriges së tij, të cilin po e mban me presion.

"Presioni konstant ndaj institucioneve të drejtësisë, kudo në botë konsiderohet vepër e rëndë penale dhe shantazh. Çdo aferë të çon tek Edi Rama, prandaj sulmi i tij i sotëm ndaj SPAK është treguesi më i mirë se kohës së Edi Ramës i ka ardhur fundi. Ai Kryeminister që kyç gojën kur trafikantët ndërkombëtarë të drogës, përmendin si favorizues te trafikut një ministër të Brendshem dhe te Drejtesise te kabinetit të tij, dhe sulmon SPAK-un, kur të gjithë presin arrestime brenda kabinetit të tij, do të thotë se Edi Rama nuk ka hallin e drejtësisë.
 
Ai ka vetëm hallin e tij dhe të karriges që e mban peng përmes korrupsionit dhe aleancës me krimin e organizuar. I vetmi turp i SPAK-ut do të ishte, nëse i nënshtrohet dhunës së kryeministrit! Turp dhe shkelje e ligjit do të jetë, kur anëtarët e kësaj qeverie, bashkë me Edi Ramën, të mos ndëshkohen për korrupsionin e tyre të frikshëm dhe demin kolosal qe i kane shkaktuar Shqiperise dhe te ardhmes se vendit tone." deklaroi Këlliçi


Video