"Bërryla dhe konkurrencë e sëmurë", Rama flet për “klane” në PS: S’e kanë lënë FRESSH të ngrejë kokë

7 May 2022, 10:34Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"Bërryla dhe konkurrencë e sëmurë", Rama flet
Në foto: Kryeministri Edi Rama

Ka nisur Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, ku pritet të diskutohen zgjedhjet e reja të kryetarëve të PS në 61 bashki dhe programi i partisë për pjesën e dytë të vitit.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se anëtarët e këtij organi mund të propozojnë kandidat për kryetarë të degëve të PS-së në gjithë Shqipërinë.

Sipas Ramës në këtë garë mund të marrin pjesë persona edhe nga jashtë forumit të Asamblesë Kombëtare, por nuk përjashtohen dhe vetë anëtarët e kësaj strukture për të garuar.

"Kjo është një zgjedhje me rëndësi të madhe, jo vetëm për zgjedhjet vendore të ardhshme, të cilave do tiu kushtojmë vëmendjen gjatë gjithë pjesës së dytë të këtij viti. Por është jashtëzakonisht e rëndësishme për vitet që do të vijnë, është domosdoshmëri që ti japim partisë në nivele drejtuese një profil të ri politik, që na siguron që partia ka zë në territor, ku kryetarët e partisë nuk janë as hije të kryetarit të bashkisë, dhe as konkurent të tyre, dhe as zyrtarë që merren me punësime.

Duhet të jenë njerëz që çojnë zërin e PS në territor, organizojnë komunikimin e partisë në të gjithë territorin, dhe të dinë që komunikojnë me njerëzit, që janë shtrati i ri politik i PS-së së nesërme. Procesi do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe real, do të shmanget çdolloj formalizmi, për këtë arsye duhet që të shmangen nxjerrjet në ballë të drejtuesve të partisë, që janë rezultat i konflikteve, apo përplasjes për të ndryshuar ekuilibrat e forcave, të grupeve të ndryshme.

Duhet të ecim më tej me një rrjet rinor të larmishëm, të çliruar nga hijet të të shkuarës. Një rrjet të hapur, ku për secilin ka një vend dhe ku të gjithë ndjehen mirë pa hyrë në rrugën e bërrylave dhe konkurrencës së sëmurë që e pengoi FRESSH që të ngrejë kokën. E kemi parë sa i dobishëm ka qenë rrjeti dhe është e domosdoshme që tani t’i japim një fuqi të re. Do vazhdojmë më tutje me krijimin e kancelarisë," tha Edi Rama. 


Video