Ashtu si Edi Rama para disa vitesh, edhe Sali Berisha do të ketë një “Maqo Lakrori” në garën për kreun e PD-së. Kur dukej se Berisha do të garonte i vetëm në zgjedhjet e 22 majit, ka dalë në skenë emri i Ibsen Elezit.
Elezi ka depozituar dokumentet pranë Komisionit Operacional zgjedhor të PD, por selia blu nuk e ka zyrtarizuar ende si kandidat.
Para disa vitesh Elezi ka mbajtur postin e kryetarit të degës në Kukës, ndërkohë që pas 25 prillit ai ishte ndër të parët që kërkoi largimin e Bashës dhe tani është kritik edhe ndaj Berishës dhe Komisionit të Rithemelimit. 7 maji ishte afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve për procesin zgjedhor për kryetar të PD.
Të premten, Berisha depozitoi dokumentet dhe u regjistrua si kandidat për kreun e PD. Më parë, ai është shprehur se do të shkojë në 22 maj edhe nëse do të jetë i vetëm në këtë garë. Ish-kryeministri theksoi se demokratët do të mbajnë një referendum për t’u përgjigjur me po ose jo nëse e duan Sali Berishën në krye të partisë.