Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, ka sqaruar propozimet për ndryshimet ligjore, që prekin çështjen e fundit me Autoritetin e Dosjeve.
Balla u shpreh se nismat janë depozituar me qëllim heqjen e pengesave për shqyrtimin e pastërtisë së figurës të personave të cilët kanë mbajtur deri tani poste shumë të larta, duke mos përmendur emra.
Sipas Ballës, individë non-grata si Berisha dhe që kanë mbatjur poste të larta në diktaturë, nuk duhet “ta bëjnë pis Kuvendin”.
“Një përmbledhje të të gjithë nismave, janë një paketë. Në fund të korrikut është depozituar një nismë nga grupi i PS për dy ndryshime në dy ligje, njëri për Autoritetin e Dosjes dhe një në lidhje me ligjin për zgjedhjet. Nisma është depozituar pas propozimit nga Autoriteti.
Ajo ka nisur për të hedhur dritë mbi pastërtinë e figurave, nisur nga rasti i evidentuar tashmë për një politikan të nivelit të lartë që ka mbajtur pozicione shumë të rëndësishme në Shqipëri dhe që mbi këtë politikan kanë rezultuar dokumente të reja shtesë e ekzistojnë disa pengesa nga ligji aktual për vijimin e shqyrtimit të pastërtisë së figurës.
Në Shqipëri në 30 vite ka pasur raste të tjera të cilat kanë arritur ti shmangen përgjegjësisë morale e jo vetëm e të arrijnë në herarkinë më të lartë shtetërore, duke dëmtuar jetën e shumë personave që kanë vuajtur krimet e Sigurimit”, tha ai.
Mes të tjerash Balla u ndal dhe te vendimi i SHBA dhe i Britanisë së Madhe për ish-kryeministrin Berisha, që e shpallën kreun e PD non-grata.
“Sa i përket çështjes së “non-gratës” është një vendim i marrë nga SHBA dhe Britania, dhe për këtë çështje qëndrimi ynë ka qenë shumë i qartë, i takon organeve të drejtësisë, dhe i bëj thirrje edhe njëherë, është koha e përshtatshme, sepse në rastin tjetër janë bërë publike edhe elementët korruptivë, është një çështje që i përket drejtësisë. Nuk është një çështje që mund të adresohet në këtë paketë që ne po diskutojmë. Sali Berisha është një përfaqësues i lartë i Partisë së Punës, si sekretar partie, mendojmë që të konsiderohet edhe pjesa që një sekretar partie, pas 30 vjetësh tashmë i shpallur edhe non-grata, nga dy vende shumë të rëndësishme, ky person të vazhdojë të bëjë pis kuvendin. Faktet e reja publike të bëra nga vet katrani me bojë për ato që Mbretëria e Bashkuar e ka informuar, për lidhjet e tij me persona, atëherë unë mendoj që këtu ka plot arsye që legjislacioni aktual dhe drejtësia të fillojë procedimin penal ndaj “non-gratës”, pohoi ai.