Bardhi: Policisë ushtarake t’i rikthehen kompetencat e mbrojtjes së objekteve të ushtrisë

21 August 2022, 19:54Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Bardhi: Policisë ushtarake t’i rikthehen kompetencat e mbrojtjes

Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi thotë se ndryshimet e ligjit që i hoqi policisë ushtarake kompetencën e mbrojtjes së bazave dhe objekteve të tjera të ushtrisë ishte i gabuar.

“Më 21 Korrik 2022 Edi Rama vendosi që Policia Ushtarake të mos mbrojë më objektet ushtarake, por duhet të mbrojë Ministrin e Mbrojtjes dhe zyrtarë të tjerë të lartë civil të Ministrisë së Mbrojtjes. Kundërshtimi i opozitës edhe në këtë rast nuk u dëgjua dhe ligji u miratua me forcën e kartonit në Parlament”, shkruan Bardhi.

Deputeti i PD thotë se dy ngjarjet identike brenda 24 orëve në Gramsh dhe Poliçan e bëjnë të domosdoshme rikthimin e policisë ushtarake në mbrojtje të këtyre objekteve.

Autoritetet përgjegjëse, thotë Bardhi, kanë detyrimin të sqarojnë dhe bëjnë transparencë të plotë për rrethanat e ngjarjes në Gramsh dhe Poliçan, duke përfshirë edhe performancën e institucioneve shqiptare të inteligjncës dhe sigurisë kombëtare.

“Presidenti i Republikës ka detyrimin institucional të thërras me urgjencë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për të vlerësuar nivelin e sigurisë në objektet ushtarake të shtetit shqiptar. Cënimi i sigurisë në objektet ushtarake vendos seriozisht në rrezik sigurinë kombëtare të një vendi anëtar të NATO-s. Nëse ky rrezik vjen edhe nga vendimmarjet e gabura politike, siç është ulja e nivelit të ruajtjes në këto objekte, padyshim që duhet të ketë përgjegjësi politike. Objektet ushtarake të shtetit shqiptar nuk mund të trajtohen si “han pa porta”, siç në fakt Edi Rama ka kthyer shtetin dhe institucionet publike”, shkruan Bardhi.

 


Video