“PL, një tavolinë me 4 fytyra”, Kryemadhi: Metën do e takoj vetëm kur të martojmë fëmijët, nuk e harroj ç’më ka bërë ai dhe miqtë e tij

8 Nëntor 2025, 19:01Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Monika Kryemadhi

Kryemadhi sulmon PL-në: Ka një tavolinë me 4 fytyra, mendojnë se bëjnë politikë duke lexuar si deklarata për shtyp intervistat e Metës

Ish-deputetja dhe ish-kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në Neës24, ka komentuar situatën aktuale brenda Partisë së Lirisë (ish-LSI), duke shprehur kritika të forta ndaj drejtimit të saj.

Sipas Kryemadhit, keqinterpretimi i situatave të shumta ka sjellë shkatërrimin e strukturave të rinisë dhe, më gjerë, të vetë strukturës partiake.

“Keqinterpretimi i situatave të shumta shkatërroi strukturën e rinisë. S’ka strukturë partie, ka një tavolinë me katër fytyra që përveçse nuk mbledhin partinë, mendojnë se duke lexuar si deklarata për shtyp intervistat e Ilir Metës bëjnë politikë,” u shpreh ajo.

Kryemadhi theksoi gjithashtu se, ndonëse nuk ka më funksione drejtuese në parti, ajo vazhdon të kontribuojë rregullisht financiarisht.

“Unë paguaj kuotën e partisë muaj për muaj me bankë dhe jam e sigurt se asnjë prej deputetëve nuk e bën këtë,” deklaroi ish-deputetja.

Kryemadhi foli edhe për jetën e saj pas divorcit si dhe përjetimet e fëmijëve të saj.

“Tani jam më e lirë. Të vetmin ndryshim që kam sot, është se në mëngjes, nëse më parë në krevat kisha Ilir Metën, sot kam Borën. S’kam pasur titull më parë. Kam qenë në shërbim të të rinjve.”, tha ajo.

Duke u ndalur te divorci, Kryemadhi tha se fëmijët e saj i rriti më shumë ndarja e prindërve të tyre.

“Fëmijet janë shumë të rritur. Divorci i rriti akoma më shumë. Nuk e mendonin. Por janë shumë të qetë, të pjekur. Janë të lënduar nuk diskutohet, por për shkak të shkollimit të tyre, mendojnë ndryshe. Tani po njohin tamam nënë dhe babanë. Na shihnin njerëz hermetik dhe robot.”, tha ajo.

Kryemadhi tha se kanë qenë shokët politikë ata që e ‘hëngrën’ politikisht.

“Mua s’më hëngri politika, por shokët. Historitë u përdorën për të larguar Monikën. Po të shikosh të gjithë historikun e Monikës, ka promovuar vetëm të rinjtë. Largimi im, largoi mekanizmin e barazisë. Erdhën njerëz nga rruga që e rrudhën partinë.”, tha Kryemadhi.

Kryemadhi deklaroi se nuk do ta takojë asnjëherë Ilir Metën në burg.

Ajo pohoi që ndonëse me Metën do të takohet në gëzime familjare, si martesat e fëmijëve, Kryemadhi tha se nuk është ende gati për të harruar ato se çfarë i bënë miqtë e Ilir Metës, apo dhe vetë ky i fundit.

“Nuk do ta takoja Ilir Metën dhe absolutisht kam thënë që do takohem me të kur të martojmë fëmijët, do bëhemi gjyshër etj. Unë nuk jam gati për t’u takuar me Ilir Metën, qoftë emocionalisht, qoftë në aspektin e mënyrës si sepse e ndjej vetën shumë të fyer nga mënyra si jam linçuar nga rrethi i tij dhe ai vetë në atë kohë. Nuk do ta fal mënyrën si SPAK dhe mediat përdorën kundër meje për thashetheme që janë përdorur. I kam falur që të gjithë, por nuk kam harruar akoma atë që kanë bërë dhe tensionin e presionin që kanë ushtruar te fëmijët e mi”, tha ajo.


Video