Deklaratat për ambasadorin Gonzato, PS kërkon përjashtimin e Berishës nga Kuvendi deri në 60 ditë

7 Nëntor 2025, 13:08Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Silvio Gonzato, Sali Berisha

PS kërkon ndëshkimin e Sali Berishës për sulmet e një dite më parë ndaj ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzato, lidhur me ligjin për barazinë gjinore. Në kërkesën drejtuar Sekretariatit të Etikës, socialistët kërkojnë që kreu demokrat të përjashtohet deri në 10 ditë, 30 apo 60 ditë nga punimet e Kuvendit.

PS argumenton se deklaratat e Berishës ishin fyese, denigruese dhe diskriminuese ndaj diplomatit evropian, duke cenuar jo vetëm dinjitetin personal të tij por edhe imazhin e institucionit të Kuvendit. Ky veprim, thotë PS, përbën shkelje të rëndë të etikës dhe cenim të drejtpërdrejtë të parimeve të sjelljes së deputetit të përcaktuara në Kodin e Sjelljes dhe në Rregulloren e Kuvendit.

“Kërkojmë marrjen e masës disiplinore ndaj deputetit Sali Berisha, sipas parashikimeve të nenit 65/1, Përjashtim nga pjesëmarrja ne komisione dhe/ose në seancë plenare deri në 10 ditë, 30 ditë ose 60 ditë.”, thuhet në kërkesë.

Berisha tha brenda dhe jashtë Kuvendit se Gonzato nuk mund t’i impononte shoqërisë shqiptare bindjet e veta personale. Deklarata e tij solli edhe reagimin e Komisioneres së BE për Zgjerim, Marta Kos, e cila tha se linjëzimi i legjislativit të Shqipërisë me këto parime të BE, është pjesë e procesit të pranimit në Union. U pasua më pas edhe me reagimin e kryeministrit Edi Rama, i cili kërkoi ndjesë për sjelljen e kundërshtarit të tij dhe përdorimin e emrit të ambasadorit për një qëllim të ulët.

Edhe pas këtyre reagimeve, Berisha nuk u tërhoq dhe deklaroi sërish brenda Kuvendit se nuk ka bërë asnjë fyerje. Projektligji i shumëdiskutuar u miratua mbrëmë me 77 vota pro të maxhorancës. 36 deputetë të opozitës votuan kundër.


Video