Me 77 vota pro dhe 36 kundër është miratuar në seancën e kësaj të enjteje në Kuvend projektligji i shumë diskutuar e kundërshtuar për barazinë.
Gjatë daljes nga Parlamenti, deputetët socialistë janë pritur me fishkëllima dhe fjalët ‘turp’ nga disa qytetarë që protestuan kundër këtij projektligji.
Sakaq, kreu i PD Sali Berisha i shoqëruar nga deputetët demokratë u është afruar protestuesve pas seancës plenare duke komunikuar me ta.
Vetë Berisha e ka kundërshtuar ashpër projektligjin, duke e cilësuar si hapje të rrugës për instalimin e një ideologjie të rrezikshme.
Gjatë ditës së sotme përfaqësues të komuniteteve fetare, protestuan para Kuvendit për të kundërshtuar projektligjin për barazinë gjinore, që sipas organizatorit Akil Pano, ky ligj është kriminal dhe kundër familjes.
Me pankarta në duar pro familjes si; “Martesa burrë grua”, “Ka vetëm dy gjini, mashkull femër”, “Nëna është grua”, qytetarët shprehën kundërshtinë ndaj këtij projektligji, që sipas tyre cenon familjen tradicionale shqiptare.
Sipas protestuesve shqetësues është fakti i orientimit i fëmijëve drejt përzgjedhjes seksuale, pasi ata theksojnë disa nene të tij për ideologjizimin e fëmijëve, duke ndryshuar dhe transformuar kurrikulat shkollore.