"Pati demokratë që punuan me PS në zgjedhje"/ Berisha: Ikën me pushime ose u emëruan drejtorë të narkoshtetit!

6 Dhjetor 2025, 13:32Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u pyet në lidhje me zhvillimet brenda partisë së fundmi, përfshi foltoret që po mban Ervin Salianji dhe bashkëbisedimi i tij me qytetarët.

Ai vuri theksin te debati i brendshëm dhe analiza e thellë për zgjedhjet e 11 majit, por theksoi se farsa elektorale dhe partia-shtet përdorën edhe disa nga demokratët, mes tyre edhe deputetë që merrnin rrogën nga PD dhe punonin për socialistët.

Ai tha se do bëhej analizë  thellë për të gjithë, përfshi edhe drejtuesit politikë dhe atë vetë, duke denoncuar ata që ikën me pushime apo bënë fushatë për PS-në.

Foltorja ka qëllimin e vetë, në takim dhe debat siç e keni parë pa filtra dhe me kamera. Ne regjistrojmë propozimet e tyre, i dëgjojmë, do ishte e padrejtë dhe joreale nëse pretendojmë se në foltore ne ezaurojmë debatin dhe analizën. Ajo do bëhet në çdo qelizë.

Por ne symbyllurazi nuk jemi. E patë se pati nga ata demokratë në zgjedhje që kishin marrë edhe rrogën e deputetit në PD, që u bënë drejtora, këshilltarë në strukturat e narkoshtetit. Ka dhe të tjerë dhe këto më mirë se unë i dinë vetë strukturat, që gjatë fushatës nuk kanë punuar asnjë ditë. Të tjerë shkuan me pushime gjatë fushatës.

Apo punuan për PS-në. Natyrisht që këta do të japin llogari dhe janë strukturat që do përcaktojnë qëndrimin ndaj tyre. Do jenë strukturat që do nxjerrin propozimet, amendimet, shqetësimet. Ne jemi parti e vlerave. Do japim shpjegime dhe llogari, kjo është e domosdoshme.

Mbrojtja e votës ishte me rëndësi jetike jo vetëm për PD, por edhe për Shqipërinë, ja ku e kemi këtu sot, rezolutat, forcat politik të djathta. Këto u arritën, farsa elektorale u provua. Tani jemi në farsë tjetër, do përballemi me të.

Do ketë analizë për çdo njeri, për të gjithë, secilit nga ne. Edhe drejtuesit politikë, do dëgjojmë zërat e tyre, simpatizantëve, duhet t’ua shpjegojmë, nuk janë informuar dhe duhet të informohen.

Pati dhe nga ata që shkuan me vrap te Rama për t’i çuar materiale që të dobësonin raportin, apo që të mohojnë farsën elektorale, narkodiktaturën, që të thoshin se zgjedhjet ishin të lira. Këta janë skllevër, janë injorantë, ne këtë e bëjmë për çdo shqiptar, për liri.

Morëm ekspertin më të shkëlqyer të planetit, por farsa elektorale nuk ndaloi dhe mori përmasa gjigante. Të jeni të qartë nuk mbyllet goja, analiza do bëhet e plotë”.


Video