Deputeti socialist, Vullnet Sinaj është përplasur në Këshillin e Mandateve me deputetët demokratë të cilët e akuzojnë se ka përfituar rreth 36 milionë lekë të vjetra përmes kompanive të tij nga buxheti i shtetit, ndërkohë që kishte mandatin e deputetit.
Gjatë mbledhjes së Këshillit ai tha për aq kohë sa shteti nuk e ka një databazë të institucioneve të tij, shitësit në markete nuk mund ta dinë se cilit nuk duhet t’i shesin mallra në kasë.
Klotilda Bushka: Thatë që para që vijnë nga të ardhurat e shtetit në kompanitë ku jeni ortak pasiv, janë marrë përmes pagesave me blerje në kasat e supermarketeve. Ju thatë që nëse mblidhen vlerat e faturave shkojnë 350 mijë lekë të reja. I keni marrë ju direkt apo jane paguar në kasë?
Vullnet Sinaj: Unë nuk kam asnjë shans që të marr vesh çfarë bëhet në kasat e supermarketeve. Nuk kam asnjë shans të evidentoj se ccfarë të ardhurash kanë ardhur te unë në 5 fatura në një number mbi 250 milionë fatura. Kolegu tha se duhet ta dinte që ky është institucion shtetëror. A ka shteti ndonjë databazë. Tu them një gjë për të qeshur që me erdhi si informacion nga një punonjëse supermarketi. Kishte bërë 11 fatura me Bibliotekën Kombëtare. U thashë pyeteni pse i ka bërë këto 11 fatura. Përgjigjja që dha ishte “nuk e dija që Biblioteka është institucion shtetëror”. Kompania nuk i ka administratorët juristë si puna e Bardhit që lexon ndonjë libër. Ata janë me 7-8 klasë.
Arben Pëllumbi: E keni ushtruar ju pushtetin tuaj politik për të shitur letër higjenike për gjykatën?
Vullnet Sinaj: Jo unë, po as biznesi nuk ka shkuar të bëjë tenderim. Janë institucionet që kanë shkuar kanë blerë. Unë vetëm kam dhuruar dhe prisja që të falenderonit sot dhe të më thoshit “kaq shumë sa ke dhuruar, duhet të rrish prapë deputet”.
Gazment Bardhi: Keni dalë në raportin e TI se është ndryshuar ligji për të përfituar ju rimbursim të tvsh. Ne po analizojmë letrat dhe faktet.
Vullnet Sinaj: Me OJF merresh ti? Na sjell OJF këtu. Ajo merret vetëm me shpifjet që thoni ju në gazeta.
Sajmir Korreshi: Nga 2017 që jeni bërë deputet, marketet tuaja janë shtuar apo janë pakësuar?
Vullnet Sinaj: Keni një zell të madh për të mësuar nga biznesi. Këshilla e parë që do tu jap është që nuk bëhesh biznesmen pas politikës se do të paragjykojë populli. Biznesmen bëhesh në kohë. Të pyes unë ty, sa supermarkete kam pasur unë para se të bëhesha deputet? Si mund të jap përgjigje për punën e palodhur të 2500 punonjësve? Biznesi im ka qenë gjithmonë në rritje.