Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të mblidhet sot në orën 11:00 në Kryesinë e Kuvendit për të shqyrtuar mocionin e 14 deputetëve të opozitarës, të cilët kërkojnë konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj.
Kjo kërkesë e PD-së, e cila e akuzon Sinajn se ka përfituar para publike me bizneset e tij, do të shqyrtohet nga Këshilli i Mandateve dhe më pas pritet që t’i kalojë seancës plenare për votim.
Në mocionin e dorëzuar nga deputetët opozitarë, thuhet se Sinaj ka shkelur Kushtetutën, pasi ka përfituar fonde publike në kundërshtim me pikën 3, të nenit 70 të Kushtetutës, i cili ndalon deputetit që të përfitojë pasuri publike. Ndërkohë që vetë Sinaj pretendon se nuk ka marrë asnjë shumë nga buxheti i shtetit përmes bizneseve të tij.
“Nuk kam përfituar nga buxheti i shtetit asnjë lek, as kur nuk kam qenë deputet, as kur jam zgjedhur deputet. Për më tepër, dhuroj prej vitesh rrogën mujore të deputetit për të ndihmuar njerëz në nevojë dhe as më shkon mendja të përfitoj financiarisht nga buxheti i shtetit”, ka thënë më herët Sinaj në një reagim të tij.