Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 101 vota rezolutën e përbashkët për Kosovën, që dënon sulmin me armë të serbëve në Veri të Kosovës.
Të pranishëm në Kuvend ishin 106 deputetë, ndërkohë që në votim nuk u futën amendamentet e deputetit të PD-së Kreshnik Çollakut.
Rezoluta kërkon angazhimin e të gjitha strukturave në Shqipëri, Kosovë dhe ato ndërkombëtare, për hetimin e sulmit.
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË:
• Mbështet plotësisht dhe njëzëri Rezolutën Nr. 08-R-009 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratuar në seancën e tij plenare të datës 28 shtator 2023;
• Kërkon nga institucionet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që në të gjitha instancat ndërkombëtare sikurse dhe në kontaktet bilaterale me partnerët tanë të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës;
• Inkurajon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj.