Sulmi në Kosovë, ministri Hasani: I takon Serbisë të bëjë një hetim të thellë dhe serioz

12 October 2023, 12:57Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sulmi në Kosovë, ministri Hasani: I takon Serbisë të
Ministri i Jashtëm Igli Hasani

Ministri i Jashtëm Igli Hasani thotë se Serbia duhet të hetojë dhe të vendosë para drejtësisë autorët e sulmit të armatosur në Veri të Kosovës, përpara se të ulet në dialog me Kosovën.

Hasani tha se Shqipëria do të jetë gjithmonë krah Kosovës. "Do vijojmë të mbështesim Kosovën për t’i dhënë zë në çdo hapësirë ku mundemi", deklaroi ai nga foltorja e Kuvendit ku po diskutohet për miratimin e rezolutës që dënon sulmin terrorist në veri të Kosovës.

"I takon Serbisë të bëjë një proces hetimi të thellë dhe serioz. Nëse vërtetë janë të interesuar për dialog, fajtorët të vihen para ligjit. Dialogu Kosovë-Serbi, zgjidhja e vetme për tejkalimin e kësaj situate. Dialogu nuk duhet të mbetet peng i dinamikave të brendshme apo lojërave politike", deklaroi Hasani.

Ai tha se nga dialogu i Kosovës me Serbinë varet e ardhmja e gjithë rajonit.

"Nga rezultati i Dialogut varet e ardhmja e gjithë rajonit. Dialogu duhet të vazhdojë pa humbur asnjë moment. Çdo kohë e humbur ka çmim më të lartë për të ardhmen e Kosovës. MEPJ do të vazhdojë të punojë ngushtë e pandalshëm me Kosovën", u shpreh Hasani.


Video