Me unanimitet të plotë, Asambleja Socialiste rikonfirmon Ervin Demon për Bashkinë e Beratit

18 Mars 2023, 15:16Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Asambleja e Partisë Socialiste në Berat

Ashtu siç edhe pritej, Ervin Demok është konfirmuar për të rikandiduar për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Beratit.

Lajmi është bërë me dije nga drejtuesi politik i PS-së në qarkun e Beratit Bledi Çuçi, i cili njofton se rikandidimi i Ervin Demos është pranuar me unanimitet të plotë nga Asambleja e Partisë Socialiste në Berat.

Në një postim në rrjetet sociale, Çuçi shkruan se fitorja e Ervin Demos në Berat as që nuk diskutohet, por do të synohet dhe shumica në Këshillin Bashkiak.

"Berat- Në Asamblenë e Partisë Socialiste konfirmuam Ervin Demon si kandidati ynë për zgjedhjet e 14 Majit. Besimi për një mandat të dytë është rezultat i punëve të mira që janë bërë këto 4 vite në Berat dhe garanci për vazhdimin e projekteve e investimeve që shndërrojnë këtë bashki në një qendër të rëndësishme të turizmit në vendin tonë.

Berati është një markë ndërkombëtare për vlerat që ka si pjesë e UNESCO-s, një qytet që meriton vëmendje të posaçme e që kurrsesi ne nuk mund ta lemë në duart e atyre që as nuk dinë e as nuk duan të punojnë për të.

PS është e mobilizuar si asnjëherë më parë jo vetëm për të fituar bashkinë, se këtë nuk e dyshojnë as kundërshtarët tanë, por për të siguruar edhe shumicën në Këshillin Bashkiak. Përgëzime Ervinit, socialistëve dhe qytetarëve të Beratit" -shkruan Çuçi.

Pas rikonfirmimit ka ardhur një reagim dhe nga vetë Ervin Demo, i cili falebderon socialistët e Beratit për besimin që treguan ndaj tij.

"Në takimin e asamblesë së zgjeruar të Partisë Socialiste
Falenderues për secilin prej jush që unanimisht një zëri vendosët që t’ju përfaqësoj në zgjedhjet e 14 Majit si Kryetar Bashkie për mandatin e dytë.
Së bashku do të shkojmë derë më derë, ku me përulje do flasim për problemet që kemi akoma në Berat, por me kokën lart për gjithçka kemi bërë në këto 4 vjet dhe krenar për ritmin e transformimit që Berati po përjeton dita ditës." -shkruan Demo.

Video