Kallëzoi në SPAK kullën e "Foltores", Basha: T'i jepet fund lidhjeve të korrupsionit politik dhe krimit ekonomik

8 August 2023, 16:01Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kallëzoi në SPAK kullën e "Foltores", Basha: T'i
Lulzim Basha / Kulla Mali i Tiranës


Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për herë të parë pasi kallëzoi në SPAK aferën e kullës më të lartë që do të ndërtohet në Tiranë, në lulishten pas Teatrit të Operas dhe Baletit.

Basha thotë se është i vendosur për të luftuar korrupsionin, si atë të dukshëm dhe të padukshëm mes politikës, krimit ekonomik dhe krimit të organizuar.

Kulla e "Foltores" apo "Mali i Tiranës" thuhet se do të ndërtohet nga biznesmenë të lidhur ngushtë me familjen e Sali Berishës, të cilët kanë financuar edhe lëvizjen e "foltores" si dhe media pranë Berishës.

Berisha, deputetët dhe mediat pranë tij, janë "kryqëzuar" nga opinioni publik pasi kanë heshtur duke mos e denoncuar ndërtimin e kullës. Madje kanë kërkuar që të mos bëhet fare kauzë e opozitës pasi sipas tyre "heq vëmendjen nga skandalet e tjera".

Reagimi i plotë i Bashës:

Për Partinë Demokratike lufta ndaj korrupsionit është e panegociueshme. Ne jemi të vendosur të përballemi me cilindo që ka shkelur besimin e qytetarëve për t’i hapur rrugë interesave korruptive dhe klienteliste, të cilat janë një kërcënim për mirëqenien e shqiptarëve.

Kallëzimi i sotëm në SPAK i malit të korrupsionit në qendër të Tiranës, është provë e besimit të Partisë Demokratike ndaj institucionit më të rëndësishëm të akuzës. Mbështetja pa kushte ndaj drejtësisë është dëshmi e vullnetit tonë politik për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të inkurajuar transparencën mbi lidhjet e dukshme dhe të padukshme mes korrupsionit politik, krimit ekonomik dhe krimit të organizuar.

Askush nuk mund të jetë mbi ligjin!


Video