Qeveria ka gati projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave, qoftë atyre të përfunduara, me qira apo në proces legalizimi, për mbrojtjen nga dëmet e tërmetit.
Projektligji është nxjerrë tashmë për konsultim, dhe me gjasë shumë shpejt do të jetë para deputetëve për ta votuar në parlament.
Projektligji është hartuar nga Ministria e Financave dhe AMF për adresimin e ndikimit social dhe fiskal të tërmetit, duke u bazuar në eskperienca të vendeve si Filipinet, Turqia dhe Rumania.
“Sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmetet zbatohet për llojet e mëposhtme të pronave të paluajtshme: banesa; seksionet që ndodhen brenda banesave që përdoren si njësi shitje, zyra apo për qëllime të ngjashme. Nuk zbatohet për ndërtesat të cilat përbëhen nga argjile/qerpiç, strukturë me fibër - kallami ose të ngjashme; ndërtesa me vendosje të lëvizshme ose të përkohshme.
Detyrimin për sigurimin nga tërmetet e kanë edhe subjektet e banesave sociale me qira, përfshirë banesat në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetqeverisjes vendore, të cilët financojnë primin nga buxheti i tyre", thuhet ndër të tjera në projektligj.
Në nenin 5 të ligjit thuhet se pronat detyrohen të sigurohen nga tërmet çdo vit, ku përfshihen banesat sociale me qira, përfshirë ato në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Fondi Kombëtar për Tërmetet është përgjegjës për:
a) shitjen e policave të sigurimit;
b) administrimin e primeve të sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet;
c) krijimin e përfitimeve nga investimi i të ardhurave nga policat e sigurimit;
d) risigurimin e primit;
e) trajtimin dhe pagesën e dëmeve që mbulohen nga polica e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet;
Ky projekt-ligj, siç shpjegohet në relacionin shoqërues, vjen si nevojë e adresimit të ndikimit social dhe fiskal të tërmeteve, e për të siguruar fondet e nevojshme për rindërtimin e banesave, nisur nga tërmeti shkatërrues I 2019, që preku 200.000 njerëz në 11 bashki, përfshirë Tiranën dhe Durrësin dhe duke shkaktuar një ndikim të konsiderueshëm ekonomik të vlerësuar në 7.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.