Shkëlzen Berisha reagon për kullën: Mos u merrni me të se largoni vëmendjen, fokusi veç tek inceneratorët

7 Gusht 2023, 11:09Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shkelzen Berisha dhe kulla qe do te ndertohet pas Teatrit të Operas dhe Baletit,

Shkëlzen Berisha ka reaguar për kullën pas Teatrit të Operas dhe Baletit. Duke mohuar që ai fshihet pas kullës, djali i Sali Berishës i kërkon kryeministrit Edi Rama "që të revokojë lejen e ndërtimit, ose të pranojë në heshtje se pas saj njëlloj si për qindra leje të tjera janë pazaret që ai firmos". Ai kërkon që të mos merren me kullën, por me inceneratorët. Pas reagimit të Shkëlzen Berishës, opozita tashmë do të jetë e "çliruar" të reagojë, se deri sot kishte urdhër të mos flisnin.

"Revokoje lejen, ose haje me “nder”!

Dje dhe sot media të sponsorizuara me tendera dhe para inceneratorësh si dhe të njohura gjerësisht në opinion si tualete mediatike që shpërndajnë me porosi nënproduktet Rama-Veliaj më kanë vënë në qendër të “sulmeve” sepse bash padronët e tyre (Rama & Veliaj) gjoja me paskan bërë dhuratë një kullë 125 m të lartë në qendër të Tiranës!

Në lojë kanë futur dhe “jaranin” e Ballës të cilin e ngrijnë dhe e shkrijnë sa herë u duhet për të filluar beteja imagjinare!

Në fakt ana më qesharake e strategjisë nuk është shpifja ndaj personit tim, por sulmi që në vend të Ramës që ka firmosur e dhënë lejen bëhet ndaj meje, si gjoja “përfituesi” i saj!

Mjafton të shikosh kush e shet gjellën për të kuptuar kush e ka gatuar!

Gjatë gjithë këtyre viteve e vetmja gjë që Shkëlzen Berisha ka “përfituar” nga Rama-Veliaj dhe zagarët e tyre politikë e mediatikë janë shpifjet dhe kallëzimet e rreme!

Sidoqoftë për t’i dhënë një përgjigje kujtdo që ka ngelur ne grepin e shpifjes së radhës po i bej një sfidë publike Edi Ramës që të revokojë lejen e ndërtimit, ose të pranojë në heshtje se pas saj njëlloj si për qindra leje të tjera janë pazaret që ai firmos paf paf paf e fap fap fap bash si për vjedhjen e inceneratorëve!

Sigurisht që ai nuk do bëjë asgjë, pasi në thelb gjithë zhurma e shpifjes nuk ka për qëllim prishjen e pazareve të Ramës, por largimin e vëmendjes nga skandali i inceneratorëve për të cilin ai dhe Veliaj në ndryshim nga skandali i Kullës, rrezikojnë burgun! Sidoqoftë sfida mbetet e hapur … revoko lejen ose haje me “nder”!", shkruan Shkëlzen Berisha në rrjetet sociale.

Video