Ish-kryeministri Sali Berisha i ka porositur të tijët të mos bashkëpunojnë në mënyrë kategorike me Lulzim Bashën, teksa ky i fundit u rikthye në krye të PD-së së vulës.
Pas dyerve të mbyllura të mbledhjes së Këshillit Kombëtar, Berisha akuzoi Enkelejd Alibeajn për bashkëpunim me qeverinë në zgjedhjet e 14 majit.
“Nuk do të ketë asnjë bashkëpunim me grupin e Lulzim Bashës. Duhet të bëjmë gjithçka për t’u ngritur në protesta. Zgjedhje me Ramën nuk ka. Para zgjedhjeve të 14 majit, Taulant Balla i ka dërguar Enkelejd Alibeajt një listë me mbi 600 kandidatë për të marrë pjesë në zgjedhje dhe ai që e ka kundërshtuar ka qenë Gazment Bardhi”, tha Berisha.
Më tej ai tha se nuk do të pranojë ndryshimin e emrit të Partisë Demokratike, një ide që mesa duket është përfolur nga anëtarët e "Rithemelimit".
Ka diskutime për të ndryshuar emrin e partisë. Nëse PD-ja do ndryshojë emrin do të thotë se heq dorë nga identiteti. Ne nuk duhet të ndryshojmë emrin si një diktim që vjen nga kundërshtari. Nëse kjo ndodh, shanset janë të përgjysmohemi", ka deklaruar Berisha.