Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbledhur sot Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike të "Rithemelimit", për të paraqitur konkluzionet e hubmjes së thellë në zgjedhjet e 14 majit, që pësoi koalicioni i tij me Ilir Metën.
Berisha e ka nisur fjalën duke thënë se këto zgjedhje ishin të pabarabarta, që nga momenti që u refuzua regjistrimi i tij si kryetari i koalicionit "Bashkë Fitojmë". Berisha gjithashtu u ankua për fondet e ndara nga KQZ për partitë politike.
Ish-kryedemokrati tha se rezultati i zgjedhjeve vendore nuk duhet dhe nuk mund të pranohet kurrë.
Pjesë nga deklarata e Berishës:
Këto zgjedhje ishin më të pabarabartat në histori, pasi Edi Rama refuzoi regjistrimin e kryetarit të koalicionit opozitar.
Këto zgjedhje ishin më të pabarabartat në historinë e pluralizmit, pasi partia kryesore e opozitës, nuk pati asnjë anëtar në komisionet e votimit dhe numërimit të votave.
Këto zgjedhje ishin zgjedhjet më të pabarabartat, pasi PD me 61 kandidatët e saj në mbarë vendin, pati zero financime nga buxheti i shtetit, përkundrejt 1.2 milionë euro që mori paterica e Ramës, Brava-Alibasha me 12 kandidatë.
Por, para se të kalojmë në aspekte të tjera të farsës zgjedhore, unë këtu para jush u them demokratëve dhe mbarë shqiptarëve se mjafton kjo pabarazi ekstreme për të cilën fola më sipër, që çdo proces zgjedhor të shndërrohet në një farsë elektorale.
Rezultati nuk duhet dhe nuk mund të pranohet kurrë.
Ua them këtë këtu, sepse unë dhe ju, ndeshemi rëndom me pyetjen: këta na i vjedhin, po ne çfarë bëjmë?
Ua them këtu sepse rëndom, për fatin më të keq, janë jo të paktë ata, të cilët pranojnë fitoren kallp si fitore të vërtetë.
Edhe njëherë u them, mjafton dhunimi i këtyre kritereve për të asgjësuar një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.
Në këtë farsë, pabarazia ekstreme, që unë u ndala më sipër, është vetëm njëri aspekt.
Dy makineri gjigante funksionuan gjatë kësaj farse elektorale sa kurrë ndonjëherë për shkatërrimin e zgjedhjeve dhe blerjen e votave. Njëra ishte blerja e votës. kësaj here, siç jeni dëshmitar, pasi e shpalli Kodin Zgjedhor si kinezëri, Edi Rama përdori zarfin me 50 mijë lekë për 683 mijë pensionistë.
Përveç kësaj, shpalli rritjen e rrogave për 187 mijë punonjës.