Drejtuesi politik i PD-së në Fier, deputeti Gazment Bardhi ka reaguar pas lajmit për nisjen e hetimeve nga SPAK-u lidhur me tenderin për punimet.
Bardhi thotë se e ka denoncuar këtë aferë që në gusht të 2024-ës, duke çuar në SPAK të gjitha provat që sipas tij ërtetojnë abuzimet në vlerën 50 milionë euro.
Ai ironizon ministren e Infrastukturës, Belinda Balluku, duke thënë se ambientet në burgun e grave në Pogradec, janë gati.
Reagimi i plotë i Bardhit:
Më 12 Gusht 2024 kam kallëzuar në SPAK aferën e “Tunelit të Llogarasë”, duke paraqitur të gjitha provat që vërtetojnë abuzimin me të paktën 50 milion euro. Këto para të grabitura ditën për diell kanë shkuar në xhepat e atyre që menduan se do jenë përjetësisht mbi ligjin dhe që me paratë e korrupsionit do të mbajnë përjetësisht pushtetin.
Por, koha po tregon se i kanë bërë llogaritë gabim, me shqiptarët dhe me drejtësinë. Tani është momenti që banda e korrupsionit të pashoq në historinë e Shqipërisë, me në krye Edi Ramën dhe Belinda Ballukun, të mbajë përgjegjësi. Fatmirësisht, koha po shkurtohet dita ditës. Në burgun e grave në Pjoskë - Pogradec, ambientet janë gati.