13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykatë administrative dhe 1 gjykata apeli për të gjithë vendin. Ky është propozimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore në vend pas muajsh konsultimesh me grupet e interesit. I vetmi ndryshim nga propozimi i kaluar është shtimi i një gjykate të shkallës së parë në Sarandë që me propozimin e kaluar ishte hequr.
Dhoma e Avokatisë ka konfirmuar bojkotin ndaj gjyqësorit për shkak të kundërshtisë ndaj hartës së re e cila në këtë qark nga 4 gjykata le funksionale vetëm një prej tyre.
Deputetja e PD, Greta Bardeli me anë të një postimi në facebook ka deklaruar se është kundër këtij vendimi të KLGJ për Heqjen nga harta Gjykatën e Apelit dhe Administrative shkalla e parë të Shkodrës.
Postimi i deputetetes:
Si anëtare e Komisionit të Ligjeve dhe deputete e parlamentit JAM KUNDËR VENDIMIT TË KLGJ për Heqjen nga harta Gjykatën e Apelit dhe Administrative shkalla e parë të Shkodrës.
Një vendim që godet drejtëpërdrejtë interesin dhe të drejtën e bashkëqytetarëve tanë!
Së bashku me kolegët e opozitës në Komisionin e Ligjeve kerkojmë sa më parë seancë dëgjimore me Këshillin e Lartë të Gjyqësorit, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Ministrinë e Drejtësisë ,Dhomën Kombëtare të Avokatisë, Avokatin e Popullit dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit, lidhur me Hartën e Re Gjyqësore.
Sipas nesh ky riorganizim gjyqësor lidhet me një të drejtë themelore që ka të bëjë me aksesin në drejtësi, të garantuar nga neni 42 i Kushtetutës së Shqipërisë dhe neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për pasojë është detyrë e Kuvendit të marrë në shqyrtim këtë çështje me interes per qytetaret tane!