Gjiknuri bën identikitin e Presidentit të ri: Një emër që të jetë mbi palët

28 March 2022, 16:34Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Gjiknuri bën identikitin e Presidentit të ri: Një emër

Damian Gjiknuri është njëri prej tre emrave që janë mandatuar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste për të diskutuar emrat e mundshëm si pasues të Ilir Metës në Presidencë.

Në një intervistë të dhënë për Top News, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së ndërton edhe identikitin e presidentit të ri.

“Ne do të donim një president që të ishte antipodi i asaj që ka qenë vitet e fundit. Kemi pasur një presidenti mirëfilli partiak me axhendë politike, me plan se çfarë do të bënte në ditët që do të mbaronte Presidentin apo e kthehu Presidencën në një instrument politik të opozitës, pra në dobi të opozitës apo në funksion të planeve të opozitës. Ne nuk do donim këtë gjë. Ne do të donim një president që di të qëndrojë mbi palët”, tha ai.

Sa për procesin, Gjiknuri u shpreh se ka një udhëzim paraprak se si do të vijohet, por përsëriti atë që Taulant Balla tha më herët, se procesi është thellësisht në varësi të Kuvendit dhe brenda Kuvendit do të realizohet.

Megjithatë, edhe pse i kanë votat për të zgjedhur Presidentin e ri në raundet e katërta dhe të pesta të këtij procesi, socialistët nuk do të synojnë një figurë thelbësisht politike, por një emër që përfaqëson një spektër më të gjerë.

“Ne i kemi votat për të zgjedhur këdo sepse sipas Kushtetutës në fund Presidenti mund të zgjidhet dhe me 71 vota, por ne do të donim që të kishim një figurë që përfaqësonte një spektër më të gjerë se PS, jo në kuptimin politik, por në kuptimin e besimit që duhet të kenë të gjithë aktorët tek figura e presidentit”, tha Gjiknuri.

Në ditët në vijim do të përcaktohet qartë kalendari i Kuvendit në lidhje me zgjedhjen e Presidentit të ri dhe në mes të muajit prill parashikohet që të dalin edhe emra konkretë.


Video