Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka reaguar për gjendjen jo të mirë shëndetësore të Fatos Nanos.
Më anë të një postimi në Facebook, Braçe shkruan se ‘Fatos Nano nuk dorëzohet’.
Ish kryetari i PS-së prej të enjtes, 24 gusht 2023, ndodhet i shtruar në një spital privat në Tiranë. Burime për Report Tv bënë me dije se ish kryeministri ishte shoqëruar me ambulancë më 24 gusht nga shtëpia e tij në spital pasi kishte pasur probleme me frymëmarrjen.
Lajmi u bë i ditur vetëm dy ditë më parë ku u mësua se Nano ishte i intubuar në reanimacion por gjendja e tij mbetej e stabilizuar e megjithatë mbetej me prognozë të rezervuar.
Ish kryeministri Fatos Nano ka pasur probleme me shëndetin edhe dy vjet më parë. Më 28 maj të 2021-shit, Nano u paraqit në spitalin e Tiranës për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Xhoana Nano.
Fatos Nano aktualisht në moshën 70 vjeçare ka qenë 3 herë kryeministër i Shqipërisë. Themeluesi dhe kreu i parë i Partisë Socialiste të Shqipërisë u shkëput nga politika në vitin 2005.
Nano ka qenë kryetar i Partisë Socialiste që nga 12 qershori i vitit 1991 e deri në vitin 2005, periudhë në të cilën shërbeu edhe si kryeministër i Republikës së Shqipërisë.