
Ministrja Elisa Spiropali ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku po zhvillon një vizitë zyrtare. Sot, ajo ndodhet në Uashington dhe njofton se është pritur në Shtëpinë e Bardhë nga Charles McLaughlin.
Charles McLaughlin është asistent special i presidentit Donald Trump dhe drejtor i Lartë për Evropën dhe Rusinë, në Këshillin e Sigurisë Kombëtare (NSC).
E shoqëruar nga ambasadori ynë në SHBA, Ervin Bushati, shefja e diplomacisë shqiptare thotë se me asistentin e Trump kanë biseduar për potencialin e thellimit të partneritetit strategjik Shqipëri–SHBA dhe veçanërisht te roli i ri i Shqipërisë si Anëtare Themeluese e Bordit të Paqes.
"Përfaqësimi nga Kryeministri Rama në këtë iniciativë fisnike të Presidentit Trump, përveçse e ripozicionon Shqipërinë si kontribuese aktive në çështjet e sigurisë dhe paqes, i jep një tjetër përmasë bashkëkoordinimit me aleatin tonë historik", shkruan ministrja Elisa Spiropali.
Ajo ka theksuar gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, se Shqipëria është e nderuar të jetë gjithashtu në krah të SHBA-së si anëtare inauguruese e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, ISF, në linjë me planin 20-pikësh të Presidentit Trump për Gazën, si një vend që eksporton stabilitet e siguri.
"Ndamë bindjen se Bordi i Paqes do të jetë në thelb Bordi i Veprimit, një iniciativë e orientuar nga parimet për zgjidhjen e qëndrueshme të konflikteve", thotë Spiropali.
Postimi i plotë i Spiropalit
Shtëpia e Bardhë – Washington. Me Charles McLaughlin, Asistent Special i Presidentit Trump dhe Drejtor i Lartë për Evropën dhe Rusinë, Këshilli i Sigurisë Kombëtare (NSC).
U ndalëm te potenciali i thellimit të partneritetit strategjik Shqipëri–SHBA dhe veçanërisht te roli i ri i Shqipërisë si Anëtare Themeluese e Bordit të Paqes.
Përfaqësimi nga Kryeministri Rama në këtë iniciativë fisnike të Presidentit Trump, përveçse e ripozicionon Shqipërinë si kontribuese aktive në çështjet e sigurisë dhe paqes, i jep një tjetër përmasë bashkëkoordinimit me aleatin tonë historik.
Ndamë bindjen se Bordi i Paqes do të jetë në thelb Bordi i Veprimit, një iniciativë e orientuar nga parimet për zgjidhjen e qëndrueshme të konflikteve.
Shqipëria është e nderuar të jetë gjithashtu në krah të SHBA-së si anëtare inauguruese e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, ISF, në linjë me planin 20-pikësh të Presidentit Trump për Gazën, si një vend që eksporton stabilitet e siguri.
Gjatë takimit konfirmova gatishmërinë tonë për mbajtjen e sesionit të dytë të Dialogut Strategjik, për të thelluar më tej marrëdhëniet tona në të gjithë sektorët me interes të përbashkët ekonomik, tregtar, energjetik e zhvillimor.