Edi Rama mandatohet për herë të katërt si kryeministër

12 Shtator 2025, 12:52Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Edi Rama mandatohet për herë të katërt si kryeministër

Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka mandatuar këtë të premte Edi Ramën për herë të katërt si kryeministër. Pas përfundimit të pjesës së parë të seancës plenare në Kuvendin e ri, Rama mbërriti në Presidencë vetëm pak momente më herët, për të kërkuar nga Begaj mandatimin e qeverisë së re ashtu siç e kërkon protokolli.

Fillimisht procedurat kërkuan që sekretari i Përgjithshëm i PS-së të dërgojë për mandatim emrin e kryeministrit, në këtë rast Edi Rama. Më pas është kryeministri që pasi mandatohet paraqet emrat e kabinetit të ri në Presidencë, gjë që Rama e ka bërë sot.

Pasi presidenti merr kërkesën, ka 6 ditë kohë për të bërë dekretimin dhe do duhet të nxjerrë dekretet individuale për secilin nga ministrat një më një.

Më pas, pas seancës së votëbesimit në Parlament, në ditët e ardhshme do të zhvillohet ceremonia e betimit të kabinetit të ri qeveritar.

Kuvendi i ri i dalë nga zgjedhjet e 11 majit u mblodh sot për herë të parë dhe u drejtua nga Vasil Llajo si deputeti më i vjetër që pranoi ta ushtronte si funksion, pasi Sali Berisha dhe Tritan Shehu refuzuan.

Sot me votat e mazhorancës u ngrit komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve, që i hap rrugë pastaj betimit të deputetëve të rinj. Për këtë arsye, seanca u mbyll dhe pritet të vijojë në orën 17:00.

Në katër vitet e ardhshme, Partia Socialiste do të përfaqësohet me 83 deputetë, Partia Demokratike me 50. Partia Socialdemokrate do të ketë tre mandate, Mundësia dy, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet nga një mandat.



Video