Berisha: Së shpejti do të marshojmë në rrugët e Tiranës, në betejë kundër diktaturës

20 January 2024, 18:57Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Berisha: Së shpejti do të marshojmë në rrugët e
Ish-kryeministri Sali Berisha

Ndonëse nën masën "arrest shtëpie" nga SPAK që po e heton për korrupsion dhe shpërdorim detyre, ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar protesta në të gjithë Tiranën.

Berisha tha gjatë fjalimit nga dritarja e shtëpisë së tij se sot shqiptarët janë nën "terror dhe frikë", arsye pse edhe sipas tij heshtin.

Ai tha se shumë shpejt demokratët do të marshojnë në rrugët e Tiranës në një betejë kundër diktaturës së krimit.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Terrori dhe frika kanë detyruar dhe detyrojnë qindra e mijëra qytetarë të këtij vendi të heshtin, të pajtohen me të keqen më të madhe që ka mbërthyer Shqipërinë pas diktaturës së Enver Hoxhës.

Por kjo nuk do të thotë se ata e duan, se ata e pëlqejnë.

Përkundrazi, ata njëlloj si ju, urrejnë Edi Ramën, urrejnë regjimin e tij, urrejnë narkoshtetin dhe duan një Shqipëri normale.
Nuk është e largët dita kur unë, së bashku me disa prej jush këtu, ose që nuk janë të pranishëm, protestonim në marshim rrugëve të Tiranës me një qëllim të vetëm, të vrisnim frikën te qytetarët.

Dhe kjo së shpejti do të ndodhë përsëri. Se ju jeni të pamposhtur, sepse ju po mbroni një kauzë të drejtë, se ju po u prini shqiptarëve në një betejë pa kthim kundër diktaturës moniste të krimit, drogës dhe vjedhjeve të shqiptarëve.


Video