Ish-kryeministri Sali Berisha në një komunikim me mediat ka paralajmëruar se do të publikohen përgjime të politikanëve shqiptarë duke komunikuar me bandat.
Jashtë ambienteve të Kuvendit, Berisha u shpreh se përgjimet janë kryer nga disa shtete të huaja, ndërsa komunikimet janë kryer nëpërmjet aplikacionit SKY ECC.
Sipas Berishës, të përfshirë janë ministra të niveleve të larta, por shtoi se nuk i kishte emrat.
"Informoj shqiptarët se hetimi i fundit i kryer nga disa shtete, Itali, Belgjikë, Gjermani, Francë e shtete të tjera, pas zbulimit të një aplikacioni që përdornin bandat shqiptare dhe qeveritarët për komunikime të fshehta, themelet e narkoshtetit po dridhen. Ju garantoj se në ato përgjime ka emra ministrash drejtorësh , prokurorësh gjykatësish e shumë të tjerë. E mirëpres si një zhvillim pozitiv në betejën kundër narkoshtetit. SKY ECC është aplikacioni. Janë zbërthyer, e di si do dalin, lere mos e pyet. Ju garantoj që janë emra ministrash të të gjitha niveleve, unë nuk i kam emrat", tha Berisha.