Presidenti Bajram Begaj ka kujtuar sot 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë dhe lëvizjen e brezit studentor 34 vite më parë, që ndryshuan edhe rrjedhën e historisë së Shqipërisë.
Kreu i shtetit theksoi me një postim në rrjetin social Facebook, se sot “kujtojnë lëvizjen rinore dhe popullore që shembi diktaturën”.
E quajtur edhe “Lëvizja e Dhjetorit 90-të”, sipas Begajt, ishte edhe “ndezja e flakës së një populli në kërkim të lirisë, demokracisë dhe vlerave perëndimore”.
Postimi i presidentit Bajram Begaj:
“34 vjet më parë, studentët progresistë shqiptarë ndryshuan rrjedhën e historisë së Shqipërisë. Lëvizja popullore që rrëzoi diktaturën dhe çoi në lindjen e pluralizmit, nisi dhe u frymëzua nga studentët.
Lëvizja e Dhjetorit ‘90 ishte ndezja e flakës së një populli në kërkim të lirisë, demokracisë dhe vlerave perëndimore.
Më 8 Dhjetor, Ditën Kombëtare të Rinisë, ne nderojmë lëvizjen e brezit të studentëve që rrëzuan diktaturën dhe festojmë shpirtin rinor të brezave që do ta çojnë gjithnjë përpara Shqipërinë. Sot, të gjithë frymëzohemi nga akti qytetar dhe politik i dhjetorit ‘90 për të bërë realitet aspiratën e shprehur në thirrjen epike: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!” Nder përjetë!”.