Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas konferencës me gazetarët të kryeministrit Edi Rama, ku komentoi disa çështje si hetimet e SPAK dhe kaosin në parlament.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Basha thotë se Rama sot tentoi t’i bëjë presion drejtësisë për aferën korruptive të sterilizimit. Sa i përket Reformës Zgjedhore, Basha thotë se Ramës i intereson të mos ketë ndryshime , duke mbajtur në këmbë marrëveshjen e 2008-ës mes PS dhe PD për t’i dhënë të drejtën kryetarëve të partive të zgjedhin kandidatët për deputetë.
Reagimi i plotë i Bashës:
Sot Edi Rama u shfaq sërisht për të mbrojtur korrupsionin që nis nga zyra e tij. Atë që ka bërë me Saimir Tahirin, Vangjush Dakon, Elvis Roshin e dhjetra të tjerë, sot e bëri me Ilir Beqajn. Edi Rama sot u mundua të shantazhojë drejtësinë duke marrë në mbrojtje aferën korruptive të sterilizimit, siç ka bërë edhe me inceneratorët. Një përpjekje e dëshpëruar për t’i bërë presion drejtësisë.
Sa i përket Reformës Zgjedhore, është tashmë e ditur se Rama është një nga njerëzit më të interesuar që të mos ketë ndryshim të sistemit zgjedhor në Shqipëri, për të mbajtur fort në këmbë marrëveshjen e 2008-ës, që u mohon shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur deputetët që duan.
Edi Rama nuk e ka fshehur dhe nuk e fsheh se kë do në krye të opozitës, këtë e dëshmoi edhe sot. Por shqiptarët e kanë të qartë se teatri i Parlamentit është vetëm fasada e interesave të përbashkëta Rama-Berisha.