Balla prezanton kreun e ri të AMP-së, paralajmëron policët: Kush ka përdorur aplikacione të koduara...

24 November 2023, 17:22Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Balla prezanton kreun e ri të AMP-së, paralajmëron policët:
Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe drejtori i ri i AMP-së, Florian Sulejmani

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka prezantuar sot kreun e ri të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani.

GJatë fjalës së tij, Balla tha se punonjësit e policisë që do të rezultojnë se kanë përdorur aplikacionet e koduara “SKY” dhe Encro Chat”, do të përjashtohen nga Policia e Shtetit, nëse nuk e deklarojnë në një formular të posaçëm vetëdeklarimi.

“T’i japim dinjitetin dhe respektin e merituar në shoqëri, organizatës së Policisë së Shtetit. Sa i përket fenomenit të aplikacioneve të koduara, kam kërkuar që verifikimi i përdorimit nga punonjësit e policisë, të jetë pjesë e formularit të vetëdeklarimit. Në rast deklarimi të rremë, do të përjashtohen menjëherë nga Policia e Shtetit. Procesi i vettingut në Policinë e Shtetit është një proces shumë i rëndësishëm, kush tërhiqet nga ky proces, nuk ka më vend në Policinë e Shetit.

Ne hapëm një procedurë konkurrimi publike për përzgjedhjen e kandidatit. Dua të falënderoj të gjithë ata që u përfshinë në këtë proces dhe të gjithë kandidatët e shumtë për besimin që i dhanë këtij procesi”, deklaroi Balla.

Edhe kreu i ri i AMP-dë, Sulejmani, u zotua se do të punojë për të çuar para përgjegjësisë ata punonjës të policisë që kanë lidhje me krimin e organizuar dhe grupet kriminale.

Ai gjithashtu paralajmëroi hartimin e një formulari ku punonjësit e policisë do të deklarojnë nëse kanë përdorur mesazhet e koduara, që shpesh në të kaluarën janë përdorur nga grupe kriminale që operojnë në Shqipëri dhe jashtë vendit.

“Ne do të përgatisim një formular, ku punonjësit e policisë do të deklarojnë nëse kanë akses në aplikacionet “SKY” dhe “ENCRO”. Në këtë mënyrë do t’i identifikojmë të gjithë që kanë patur akses”, tha Sulejmani.


Video