Banorët e Dimalit kanë dalë sërish në protestë mbrëmjen e sotme kundër Reformës Territoriale, e cila parashikon shkrirjen e Bashkisë Dimal dhe bashkimin e saj me Beratin.
Me pankarta në duar, protestuesit i kanë bërë thirrje qeverisë të mos prekë Bashkinë Dimal.
Ata u shprehën se Dimali është vendi ku duan të rrisin fëmijët e tyre dhe se kjo bashki përfaqëson një nga zonat me prodhimin më të madh bujqësor në vend.
Sipas tyre, bashkimi me Bashkinë Berat do t'ua vështirësojë jetën dhe aktivitetin ekonomik, veçanërisht fermerëve të njësive administrative Kutalli, Cukalat dhe Poshnjë.
Gjatë protestës, administratori i Njësisë Administrative Kutalli, Miço Rakazia, shpalli publikisht dorëheqjen nga detyra.
Ai deklaroi se e merr këtë vendim pasi, sipas tij, me shkrirjen e Bashkisë Dimal nuk do të ketë më shërbime për qytetarët.
"Meqë në Dimal nuk do të ketë më asnjë shërbim për qytetarët, jap dorëheqjen nga detyra," u shpreh Rakazia para protestuesve.