Arben Ahmetaj kërkon nga arratia shpalljen të paligjshëm të kontrollin të vilës së bashkëjetueses!

19 Shtator 2023, 11:37Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Arben Ahmetaj

Ish-zv/kryeministri dhe deputeti, Arben Ahmetaj nuk ndalet në betejën e tij për të marrë drejtësi. Pasi ka konsumuar të treja shkallët e gjyqësorit, ai i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të shpallur të paligjshëm kontrollin e vilës së bashkëjetueses së tij.

Edhe pse në arrati, ai ka udhëzuar avokatët mbrojtës që të vazhdojnë procedurat e ankimimit.

Kontrolli i paligjshëm, siç e quan ai, ka të bëjë me bastisjen e shtëpisë së bashkëjetueses Eriola Hoxha në zonën e Hamallaj. Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit zbarkuan atje kur deputeti socialist nuk ishte prezent dhe kryen kontrollin e saj.

E pranishme raportohet se ka qenë vetëm Eriola Hoxha, e cila sipas avokatëve mbrojtës është vënën në presion nga agjentët e BKH dhe i është sekuestruar celulari me biseda private.

Ky kontroll u krye shumë muaj përpara se Prokuroria e Posaçme të merrte miratimin e Kuvendit për heqjen e imunitetit të deputetit Arben Ahmetaj. Ndaj, siç e ka kundërshtuar fortë këtë vendim në shkallët e tjera të drejtësisë, Ahmetaj e ka nisur dhe në Gjykatën Kushtetuese.

Ai kërkon nga organi i vetëm përgjegjës për kushtetutshmërinë e ligjeve në Shqipëri, që të shpallë të paligjshëm kontrollin e vilës së bashkëjetueses së tij, sepse aty jetonte dhe ai dhe duke pasur imunitet SPAK nuk mund ta bastiste.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, ajo e Apelit të Posaçëm dhe Gjykata e Lartë i kanë rrëzuar deri më tani rekurset e Arben Ahmetaj. Me interes pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pasi nëse kontrolli i vilës së zonjës Eriola Hoxha në Hamallaj do të cilësohet i paligjshëm, atëherë hetimet mund të marrin një rrjedhë tjetër.

Ish-ministri Areben Ahmetaj është shpallur në kërkim dhe akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me inceneratorët. Raportimet janë se ai ndodhet në Britaninë e Madhe, sipas avokatëve mbrojtës, por Ahmetaj ka thënë se nuk do të kthehet në Shqipëri nëse nuk do të dalë në dritë e vërteta.

Video