
Prej disa ditësh, kryeministri Edi Rama dhe ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha janë përfshirë në replika mes tyre duke përdorur këngët e reperit Viktor Paloka, i njohur si Unikkatil, për të thubuar njëri-tjetrin.
Ishte i pari Basha që me një këngë të reperit nga Kosova e pyeste Ramën se “ku i ka shokët”, duke e ironizuar për zyrtarët e PS-së të burgosur nga SPAK.
View this post on Instagram
Po aq e “hidhur” ishte edhe përgjigja e Ramës, i cili i bëri “diss” me një këngë tjetër të Unikkatil: “Pse nuk po kupton që ti smun me u shty me mu, sa herë ke provu, çdo herë ki dështu”. Vargje të forta këto për Bashën, i cili s’ka njohur asnjë fitore elektorale përballë Ramës.
View this post on Instagram
Mirëpo, kjo strategji mes tyre duket se po provon të jetë e suksesshme për të dy, teksa klikimet e kapura në rrjetet sociale kanë arritur majat, e ata janë tashmë kryefjalë mes të rinjve.
Por a do të përkthehet kjo strategji në vota? Kjo mbetet për t’u parë, por ajo që dihet me siguri është se deri tani ajo çka ka prodhuar janë vetëm më shumë klikime për këngët e Unikkatil në YouTube.
Teksa vihet re një rritje e lehtë e shikimeve, bien në sy edhe komentet që thonë se janë rikthyer apo i kanë zbuluar këto këngë falë dyshes Rama-Basha.