
Protesta e studentëve në Tiranë është shoqëruar me momente tensioni.
Disa prej protestuesve kanë hedhur gurë dhe sende të forta në drejtim të efektivëve të Policisë, pas djegies së koshave të mbeturinave pranë Ministrisë së Arsimit.
Protestuesit kanë nisur edhe sulmet me molotovë te Ministria e Arsimit, ku disa prej tyre kanë përfunduar poshtë autobotit të ujë duke shkaktuar shpërthim e flakë.
Në përgjigje, Policia ka përdorur ujë me presion për të shpërndarë turmën.
Më herët, protesta u shoqërua edhe me kundërshtime ndaj pranisë së përfaqësuesve të Partisë Demokratike.
Teksa deputetët dhe mbështetësit e PD-së iu bashkuan tubimit, një pjesë e studentëve reaguan me thirrje kundër kësaj force politike.
“Poshtë komunizmi!” dhe “Rama në burg, Berisha në burg!” ishin disa nga sloganet e dëgjuara gjatë protestës, përmes të cilave të rinjtë shprehën kundërshtimin ndaj të dyja forcave kryesore politike.
Ndërkohë, disa të rinj ndezën kosha mbeturinash dhe tymuese me ngjyrë rozë, ndërsa në sfond dëgjoheshin thirrjet “Shqipëria kërkon revolucion!”.
Protesta e kësaj të shtune është e 19-ta e studentëve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Tubimi nisi në orën 12:00 para Ministrisë së Arsimit, ndërsa Partia Demokratike ka bërë thirrje për mobilizim kombëtar në mbështetje të studentëve.