
Mbi 2 mijë efektivë të Policisë së Shtetit janë angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës së sotme në Tiranë, në ditën e 19-të të protestës së studentëve.
Në mbështetje të tyre, sot në shesh është edhe Partia Demokratike, e cila zhvillon tubimin e dytë kombëtar që prej nisjes së revoltës studentore.
Forcat e policisë janë pozicionuar kryesisht në pjesën e pasme të godinës. Në gatishmëri janë edhe autobotët me ujë me presion, si dhe efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të pajisur me mjete speciale.
Në operacionin e sigurisë janë përfshirë forcat Shqiponja, FNSH-ja, efektivë të komisariateve të Tiranës, agjentë civilë dhe dronë për monitorimin e situatës.
Përveç pranisë së shtuar policore, protestuesit do të monitorohen edhe përmes kamerave të sigurisë me rezolucion të lartë dhe dronëve, me qëllim identifikimin dhe dokumentimin e çdo shkeljeje të mundshme ligjore.
Tubimi zhvillohet në kushtet e aktit të ri normativ për protestat, i cili i jep kompetenca shtesë Policisë së Shtetit dhe parashikon sanksione administrative për shkelësit. Gjobat variojnë nga 10 mijë deri në 500 mijë lekë, në varësi të shkeljes, duke përfshirë mosbindjen ndaj urdhrit për shpërndarjen e tubimit dhe mbulimin e fytyrës.
Protesta e sotme shënon tubimin e dytë kombëtar të Partisë Demokratike në mbështetje të studentëve, që prej fillimit të protestave në kryeqytet.