
Një vendim i Gjykatës së Apelit të Qarkut të Nëntë në SHBA ka pezulluar urdhrin që detyronte administratën amerikane të rihapte regjistrimet për Lotarinë Amerikane të Green Card për vitin 2027.
Sipas Newsweek, një trupë gjyqtarësh pranoi kërkesën urgjente të qeverisë amerikane për të pezulluar vendimin e një gjykate më të ulët, e cila kishte urdhëruar Departamentin e Shtetit të hapte regjistrimet për programin përpara datës 1 nëntor.
Vendimi i ri i lejon administratës Trump të mbajë të pezulluar procesin e aplikimeve, ndërsa vijon shqyrtimi i ankimit. Gjykata vlerësoi se subjekti që kishte ngritur padinë nuk kishte argumentuar mjaftueshëm të drejtën ligjore për të kundërshtuar pezullimin e programit.
Megjithatë, çështja nuk është zgjidhur përfundimisht dhe vendimi nuk përbën një anulim të përhershëm të Lotarisë Amerikane.
Programi i Vizave të Diversitetit parashikon dhënien e deri në 55 mijë vizave në vit për qytetarët e vendeve me nivele të ulëta emigrimi drejt SHBA-së. Për momentin, nuk ka një datë të re për hapjen e aplikimeve për vitin 2027.