Ja si do të testohen punonjësit e administratës!

9 October 2026, 15:30Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ja si do të testohen punonjësit e administratës!
Edi Rama

Pas dokumentit "Besa", "Pranisë Besnike" apo “Pasqyrës së Flamingos”, vjen “Shkalla e Meritës”!

Kjo reformë që synon një administratë më profesionale, në kuadër edhe të procesit të negociatave me Bashkimin Europian, u prezantua sot nga ministrja Ardea Pirdeni dhe kryeministri i vendit, Edi Rama.

Në nisje, ministrja e Shtetit për Administratën Publike, ngriti pikëpyetje mbi aftësinë e sistemit aktual për të vlerësuar performancën.

“A arrin sistemi ynë të dallojë kush performon më mirë dhe a i jepet pesha e duhur meritës? Për fat të keq, puna shumë e mirë shpeshherë nuk dallohet nga puna e zakonshme apo e dobët. Potenciali nuk identifikohet gjithmonë në kohë”, u shpreh Pirdeni, duke specifikuar nevojën për të parë përtej këtij sistemi, në mënyrë që avancimi në karrierë në shkallët e administratës publike të bazohet te merita.

Sipas Pirdenit, reforma mbështetet në dy boshte kryesore: atë strukturor dhe atë operacional e digjital.

“Boshti strukturor nis me meritën që në hyrje të administratës. Kushdo që beson se ka kapacitetet e nevojshme për të shërbyer, duhet t’i dëshmojë ato përmes testimit. Për këtë qëllim, do të krijohet një sistem i ri vlerësimi. Çdo person që dëshiron të bëhet pjesë e administratës publike do të duhet të aplikojë dhe të pajiset me një certifikatë të vlefshme për katër vjet”, shpjegoi ajo.

“Merita nuk provohet me hyrjen në administratë, prova e vërtetë është puna, përgjegjësia dhe rrugëtimi që ndjek. Duhet meritë për të qëndruar dhe për të avancuar”, shtoi ministrja, duke nënvizuar se vlerësimi i punonjësve do të kryhet çdo 6 muaj.

Po ashtu, do të nisë procesi i pilotimit për rreth 300 drejtues në administratën publike.

Pirdeni njoftoi se do të krijohet një katalog kombëtar i pozicioneve dhe kompetencave për çdo profil, mbi bazën e të cilit do të ndërtohet sistemi i ri i rekrutimit. Gjithashtu, do të ngrihet një regjistër kombëtar talentesh, ndërsa të gjitha institucionet do të kenë detyrimin të publikojnë thirrjet për vendet vakante.

“Mangësitë e sistemit nuk mund të shërbejnë si alibi për mungesat në drejtim”, ishte ‘vija e kuqe’ që ajo theksoi.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij me skepticizmin që ka pasur për rritjen reale të cilësisë në administratë, që ia atribuoi kryesisht periudhës që ai e cilëson “dalja nga tuneli i poshtërimit”. Mirëpo, kjo nismë për të është një “surprizë e mirëseardhur”.

“Një nga pikat më goditëse të shumë zërave që unë dhe bashkë me të tjerët, u përpoqëm të dëgjojmë, ishte pikërisht merita! Sa hyn në punë merita në Shqipëri në raport me ambicien për të shërbyer në shtetin shqiptar, për shtetin shqiptar?! E vërteta është që transformimi i administratës është reflektuar në një sërë pasqyrash të një rëndësie të posaçme sa i përket reputacionit”, u shpreh Rama.

Numri një i kabinetit beson se ka nisur një proces transformues, jo shumë i bujshëm, por ama i thellë.

Rama kujtoi mandatin e parë qeverisës, kur vlerësimet “ishin të një niveli tronditës për nga pozitiviteti”.

“Apple, që asokohe ishte yll në skenën globale të sipërmarrjes, kishte arritur mbi 90% nivelin e eficiencës. Administrata ishte mbi Apple-in, për nga eficienca dhe nga realizimi i detyrave të të gjithëve. Asnjë mbetës dhe asnjë mesatar. Kudo, një shkëlqim verbues! Natyrisht, nuk është më ashtu, por nuk do të thotë se është ashtu siç duhet.”

Për ata që ndihen të shpërfillur, pavarësisht punës që bëjnë, numri një i kabinetit tha se kjo reformë përbën një detyrim parësor, duke e vendosur meritën në themel të administratës publike dhe duke garantuar që çdo punonjës të vlerësohet për kontributin që jep.

“Karriera, edhe brenda për brenda administratës, duhet të mbështetet në të dhënat e disponueshme nga shteti shqiptar, përtej raportit të individit me një epror. Vit për vit, apo sipas kalendarit të paracaktuar, të gjithë mund t’u nënshtrohen testimeve që mund të rrisin pikët e tyre. E fundit që kam është ajo që ndodh me ekselencën. Në shumë raste, pasi u mbaron viti i punës, mbeten jashtë sistemit dhe përballen me pamundësinë për të vazhduar, edhe në rastet kur janë shumë të mirë. Duhet parë me kujdes, që të mos kemi ndërprerje brutale të marrëdhënies me punën”, përfundoi kryeministri.


Video