Erion Braçe dhe Elisa Spiropali votuan në linjë me mazhorancën për reformën e re territoriale, e cila kaloi me 85 vota dhe redukton numrin e bashkive nga 61 në 46. Të dy kishin shprehur publikisht kundërshtime ndaj kësaj reforme.
Por votimi erdhi pas një mesazhi të prerë të kryeministrit Edi Rama ndaj grupit parlamentar socialist. Sipas raportimeve nga mbledhja e PS-së, Rama kishte deklaruar: “Kush nuk voton reformën territoriale sot le të ikë.”
Këtë e konfirmoi edhe Erion Braçe, i cili tha se Rama i kishte ushtruar presion të drejtëpërdrejtë. “Nëse ti voton kundër, je jashtë këtij Grupi Parlamentar.” -konfirmoi Braçe, se çfarë i kishte thënë Rama.
Braçe e cilësoi gjithashtu detyrimin për të votuar sipas shumicës si “deformim demokratik brenda PS-së”.
Megjithatë, kur erdhi momenti i votës, Braçe votoi pro, presioni u përtyp mësëmiri.
Shkoi pas mesnate dhe votoi vetëm disa orë më parë ai kishte folur kundër mënyrës se si ishte konceptuar reforma, duke kërkuar më shumë decentralizim dhe kompetenca reale për pushtetin vendor.
Edhe Elisa Spiropali mbajti një qëndrim kritik në foltoren e Kuvendit. Ajo deklaroi hapur se “Reforma Territoriale nuk është një reformë”, duke argumentuar se çështja nuk është vetëm numri i bashkive, por pushteti, financat dhe përgjegjësitë që u jepen komuniteteve vendore.
Por edhe Spiropali, në votimin përfundimtar, votoi me grupin socialist, duke ulur kryet përpara presionit të Edi Ramës.
Reforma kaloi me 85 vota, një më shumë se shumica e cilësuar prej 84 votash që i nevojitej mazhorancës.
Në sallë u pa dhe Belinda Balluku, e cila ngrit kartonin për reformën territoriale.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016