Kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla ka sqaruar në “Opinion” krijimin e 61 bashkive në vitin 2014, kohë kur Partia Socialiste ishte në koalicion me LSI-në e drejtuar nga Ilir Meta.
Balla thotë se PS në atë kohë propozoi krijimin e 49 bashkive, por ‘bashkëortaku’ në pushtet, kërkonte krijimin e të tjera bashkive për shkak të numrit të votave që do t’i duheshin në zgjedhje.
“Është e vërtetë që në 2014, ka pasur disa bashki, të cilat në variantin tonë të parë, nuk ishin. Varianti ynë i parë në 2014 ka qenë me 49 bashki, por je në një koalicion dhe 84 vota nuk i ke, dhe zotëria i asaj kohe tha… Po ju marr një shembull që dihet: “Në bashkinë Vlorë, se nuk kam asnjë votë. Pra, hajde shpikim dhe bashkinë Selenicë që unë të kandidoj unë me 1 kandidat”.
Ky është një diskutim që është bërë, nuk është sekret, e kanë thënë dhe deputetët e opozitës. PD në atë kohë nuk u bë pjesë e procesit. Edhe në 2022 kemi pasur tentativë me Bashën. Gjithmonë PD ka gjetur mënyrë për të ikur”, tha Balla.
Duke iu përgjigjur pyetjeve për reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, Balla u shpreh se 15 bashki “po shkrihen” për shkak të perfomancës së ulët të funksionalitetit në shërbim të qytetarëve.
Sipas Ballës këto 15 të vogla, të cilat me projektin e Reformës së re Territoriale, bashkohem me bashkitë e mëdha, do të kenë më shumë fuqi që të në ardhmen të përballojnë standardet e integrimit në Bashkimin Europian.
Ndërkohë në Kuvend po vijojnë diskutimet për kalimin ose jo të reformës territoriale të propozuar nga PS. Nga 61 bashki aktualisht, mazhoranca ka propozuar reduktimin e numrit në 46 ndërsa opozita e kundërshton masivisht me argumentin se ky plan do t’i shërbente vetëm interesave elektorale dhe do të ishte në kurriz të qytetarëve.