“Narko-euro më shkatërrimtare se piramidat e ’97”, Berisha: Një goditje e madhe për prodhimin në Shqipëri

25 Nëntor 2026, 19:37Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Narko-euro më shkatërrimtare se piramidat e ’97”,

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se zhvlerësimi i euros ndaj lekut po dëmton rëndë prodhimin vendas, eksportet dhe investimet në Shqipëri.

Gjatë një takimi me Departamentin e Ekonomisë në Partinë Demokratike, Berisha e cilësoi këtë fenomen si pasojë të asaj që ai e quan “narko-euro”, duke paralajmëruar për pasoja të thella në ekonominë shqiptare.

Berisha pretendoi gjithashtu se prodhimi industrial në Shqipëri ka rënë me 15.3% gjatë pesë viteve të fundit, ndërsa eksportet shqiptare kanë shënuar një rënie prej 28% nga viti 2022 deri në vitin 2025.

“Eksportet shqiptare nga viti 2022 në vitin 2025 kanë pësuar një rënie prej 28%. Kjo rënie e euros, rënie nga narko-eurot, nga ato dhomat plot euro që patë në Peqin, dhe që këtu në Tiranë janë me qindra të tilla të fshehura në apartamente. Dhe qindra e qindra arka nëntokë dhe kontenierë nëntokë“, tha Berisha.

Kreu i PD-së argumentoi se forcimi i lekut ndaj euros krijon vështirësi për eksportuesit, të cilët i kanë kostot kryesisht në monedhën vendase, ndërsa të ardhurat nga shitjet jashtë vendit i marrin në euro.

Ai e cilësoi këtë zhvlerësim si një barrë të rëndë për investitorët dhe bizneset, duke pretenduar se po pengon prodhimin, po dobëson eksportet dhe po përshpejton deindustrializimin e vendit.

“Kjo është një goditje e madhe për prodhimin në Shqipëri, për eksportet në Shqipëri, për vetë strukturën e ekonomisë. Ky është një faktor i verbër që në njëra anë godet prodhimin, deindustrializon vendin, ndërpret procesin e industrializimit të vendit. Kjo rënie e euros është një taksë e tmerrshme mbi eksportin dhe prodhimin, investimet, mbi investimet dhe eksportin. Çdo investitor që dëshiron të vijë në Shqipëri duhet të llogarisë taksën 30% të zhvlerësimit të parave të tij. Çdo eksportues i cili të gjitha shpenzimet në Shqipëri i ka në lekë dhe fitimet i ka në euro duhet të llogarisë se eurot e tij kanë një vlerë 30% më të vogël seç e kishin“, tha ai.

Gjatë fjalës së tij, Berisha pohoi se këto tregues kanë efekte shkatërrimtare për ekonominë e vendit.

“Narko euro sot kanë efekte më shkatërrimtare sesa piramidat e viteve ’90, efekte dramatike. Së pari problemi më madhor numër një është origjina e këtij zhvlerësimi me distancë më i madh në planet sipas analizës së Eurostatit, i cili krahasoi 40 monedhat e rëndësishme të botës, raportin e tyre me euron dhe dollarin dhe gjeti se Shqipëria, leku shqiptar sot ka zhvlerësuar raportin me euron, ka një zhvlerësim të euros dhe dollarit 33 dhe 35%. Asnjë monedhë tjetër në vendet prodhuese kryesore të drogës, Kolumbi e me radhë, në asnjë vend euro nuk ka këtë zhvlerësim. Në Kolumbi është 8%, në Meksikë është 12%, në vendet e tjera luhatet midis këtyre shifrave. Sipas këtij studimi në Shqipëri arrin në 33 apo 35%. Por ky zhvlerësim është goditja më e rëndë, më e rëndë që i jepet prodhimit në Shqipëri dhe eksporteve shqiptare. Është goditje shkatërrimtare.  Dhe duke u marrë përsëri me shifrat dhe të dhënat e Eurostatit, prodhimi industrial në Shqipëri gjatë 5 viteve të fundit ka rënë me 15.3%, rënien më të madhe pas Ukrainës, zona më industriale e së cilës Donbasi është e pushtuar nga agresori rus. E dyta për rënien më të madhe të prodhimit në Evropë renditet Shqipëria”, u shpreh Berisha.


Vox Pop

Video